Kompania publike e mbeturinave që i ndanë në grupe punëtorët për pagat

Një nder opinionet më të këqija që deri më tani Zyra Kombëtare e Auditorit u ka dhënë organizatave buxhetore është ai i publikuar dje për Kompaninë Regjionale të Mbeturinave Uniteti- Mitrovicë. Kësaj kompanie, Auditori i ka dhënë “Mohim të opinionit” dhe arsyen e vetë e ka mbështetur mbi 12 të gjetura të mëdha.

Lajme

15/06/2018 13:50

Auditori ka gjetur se kjo kompani gjatë vitit të kaluar disa punëtorëve ua ka vonuar pagat e disave të tjerëve ua ka dhënë pa përfunduar muaji. Pra, u ka dhënë paradhënie, shkruan lajmi.net.

“Nga shqyrtimi i dokumentacionit kemi identifikuar pagesa të konsiderueshme si paradhënie për paga për një numër të punonjësve gjatë vitit 2017 në shumë të përgjithshme prej 138,693 euro. Ndërsa, nga ana tjetër menaxhmenti i kompanisë nuk kishte arritur t’i paguaj rregullisht pagat e një pjese të punëtorëve. Vonesat për pagimin e pagave ishin për disa muaj, po ashtu pagat ishin paguar pa aprovim për pagesë nga Kryeshefi i kompanisë. Kjo për shkak të menaxhimit dhe kontrolleve të brendshme të dobëta. Rreziku Mos pagesa e pagave të rregullta mujore për disa të punësuar dhe dhënia e pagave si paradhënie për disa të tjerë krijon trajtim jo të barabartë ndaj punonjësve. Pagesa e pagave pa aprovim për pagesë nga zyrtaret kompetent rrit rrezikun e gabimeve dhe keqpërdorimeve”, thuhet në të gjeturën e Auditorit.

Ndërkaq, Auditori i ka dhënë një “mohim të opinionit”, pasi nuk ka mundur të marrë dëshmi auditivi të mjaftueshme dhe të përshtatshme në të cilat të bazojë një opinion, auditori arrin në përfundimin se efektet e çdo gabimi të pazbuluar mbi pasqyrat financiare kanë mundur të jenë edhe materiale edhe të përhapura. “Nëse, pas pranimit të angazhimit, auditori bëhet i vetëdijshëm se menaxhmenti ka imponuar një kufizim të fushëveprimit të auditimit, për të cilin auditori konsideron se mund të rezultojë në nevojën për të shprehur një opinion të kualifikuar ose mohim opinioni mbi pasqyrat financiare, auditori duhet të kërkojë nga menaxhmenti ta heqë atë kufizimin”

Pra, nuk ishte në gjendje të shpreh një opinion, për arsyet e përmendura në vijim:

Gjendja e obligimeve të papaguara për tatim në të ardhura personale, kontribute pensionale dhe tatimi në vlerën e shtuar në bilancin e gjendjes ishin prezantuar në shumë prej 1,772,732 euro, ndërsa sipas ATK-së gjendja e obligimeve të papaguara për këto tatime dhe kontribute përfshirë edhe ndëshkimet për vonesa, me 31.12.2017 ishte 2,566,534 euro, apo 793,802 euro më shumë. Kjo për shkak së kompania nuk i ka kalkuluar dhe prezantuar ndëshkimet dhe interesat ndërsa ATK-ja i ka përfshirë;

Sipas SNK 16, kërkohet që njëherë në 3 deri 5 vite të bëhet rivlerësimi i pasurive jo qarkulluese. Vlera e pasurive jo qarkulluese (toka, objekte ndërtimore dhe pajisje & makineri) sipas PFV ishte 1,583,732€ për të cilat. Kompania nuk kishte bërë asnjëherë rivlerësimin e tyre dhe nuk kishte as plan të amortizimit për jetën e përdorimit të tyre. Kompania gjithashtu nuk ka arritur të dëshmoj se ka dokumente të pronësisë për tokat dhe ndërtesat që ishin në zotërim të sajë. Kjo për shkak të vështirësive financiare dhe kontrolleve të brendshme jo funksionale;

Kapitali rezervë i prezantuar në pasqyrën e ekuitetit ishte 2,394,047€. Ky kapital ishte trashëguar nga vitet e më hershme (që përfshin pasurinë të përberë nga toka, ndërtesat dhe pajisjet). Kompania nuk ka bërë ndonjë rivlerësim të saj asnjëherë dhe kjo vlerë tani mund të ishte tjetër nëse do të ishte bërë një rivlerësim i saj;

Parapagimet ndaj punëtorëve në PFV ishin prezantuar si llogari të arkëtueshme, kjo ka ndikuar në mbivlerësimin e llogarive të arkëtueshme në bilancin e gjendjes në vlerë prej 138,693€, kjo për shkak të keq klasifikimit të parapagimeve të pagave si llogari të arketueshme nga punëtorët;

Të hyrat nga shërbimet sipas librit të shitjes ishin 1,010,054€ ndërsa sipas PFV-ve ishin 1,139,486€. Kjo ka rezultuar me mos harmonizim e të hyrave në vlerë prej 129,432 euro.

Shpenzimet tjera në PFV ishin prezantuar 606,789€, në këtë shumë janë përfshirë edhe provizionimet për borxhet e këqija në vlerë 148,573€. Shpenzimet tjera sipas PFV pa përfshirë provizionimet e borxheve të këqija ishin 458,216€ ndërsa sipas librit të blerjes ishin në vlerë 540,572€ që kanë rezultuar me diferencë për 82,356 euro;

Provizionimet për borxhet e këqija sipas bilancit provues ishin 254,658€ ndërsa në PVF ishin në vlerë 148,573€ që kanë rezultuar me nënvlerësim të shpenzimeve në PFV për 106,085€;

Në bilancin e gjendjes obligimet ndaj të punësuarave ishin prezantuar në vlerën 100,007€ ndërsa sipas librit kryesor ishin 130,000€ që kanë rezultuar me nënvlerësim të shpenzimeve në PFV për 30,000€;

Gjendja e llogarive të arkëtueshme tregtare më 31.12.2017 ishte në vlerë 2,962,981€. Ne kemi kërkuar nga Kompania që të siguroj konfirmimet nga disa klient me borxhe më të mëdha. Mirëpo, ne nuk kemi pranuar ndonjë konfirmim nga ana e tyre për shkak se kompania nuk kishte dërguar letër konfirmimet tek klientët e saj. Prandaj, ne nuk ishim në gjendje të marrim siguri për saktësinë e llogarive të arkëtueshme;

Gjendja e llogarive të pagueshme tregtare me 31.12.2017 ishte në vlerë 323,984€. Ne kemi kërkuar nga Kompania të siguroj konfirmimet nga disa furnitorë më të mëdhenj, mirëpo ne nuk pranuam ndonjë konfirmim nga ana e tyre për shkak se kompania nuk kishte dërguar letër konfirmimet tek furnitorët e saj. Prandaj, ne nuk ishim në gjendje të marrim siguri për saktësinë e llogarive të pagueshme;

Furnizimet me derivate për vitin aktual në vlerë 208,934€ ishin bërë pa kontratë. Edhe pse në planin e prokurimit ishin të planifikuara, kompania nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit për furnizim me derivate. Kjo për shkak të mos inicimit të kërkesës për blerje nga njësia kërkuese dhe për mungese të funksionimit të sistemit të kontrolleve të brendshme;

Shënimet shpjeguese të PFV-ve janë të mangëta në prezantimin e informatave të përgjithshme, të politikave të kompanisë dhe në shënimet sqaruese për disa zëra të bilancit të gjendjes dhe të pasqyrës së rrjedhës së parasë që kishin paqartësi dhe diferenca në vlera financiare. Kjo për shkak të mos njohjes së mjaftueshme të kërkesave të standardeve të kontabilitetit për prezantimin e shënimeve shpjeguese në PFV. /Lajmi.net/