Kompania “Patton Boggs” mbron Kosovën në arbitrazh me “AXOS Capital Gmbh”

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për autorizimin e kompanisë amerikane “Patton Boggs” që të përfaqësojë Kosovën në kontestin me kompaninë AXOS kapital GMBH, në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

Lajme

31/10/2017 11:20

Kosova rrezikon t’i humbë 380 milionë euro, të cilat po i kërkon kompania “AXOS”, për faktin se, sipas tyre, Qeveria e Kosovës e ka prishur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për privatizimi e PTK-së.

Historiku i privatizimit të Postës deri te padia e “AXOS”

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, pati filluar në vitin 2010. Pas një procesi të gjatë në prill të vitit 2013 “Axos” ishte shpallur fitues pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Kishte mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës, i paraparë për 28 dhjetorin e 2013.

Privatizimi i PTK-së nuk ndodhi për shkak se procesi nuk mori bekimin e Kuvendit të Kosovës ku opozita kundërshtonte ashpër këtë proces dhe kishte bojkotuar disa herë seancat në kuvend, kur kërkohej që të votohej raporti i qeverisë për shitjen e PTK-së.

Partitë opozitare kërcënuan se nuk do ta votojnë edhe buxhetin e vendit për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Kur ishte marrë vendimi për ndërprerjen e privatizimit, AXOS menjëherë kishte paralajmëruar padinë.

“Vendimi përfundimtar nga Qeveria qe i papritur dhe i pa arsyeshëm për të ndërprerë procesin e privatizimit. Ky veprim është krejtësisht i papranueshëm nga të gjitha standardet dhe ka pasoja të rëndësishme ligjore, komerciale, ekonomike dhe pasoja financiare” , thuhet në ACP Axos Capital, në deklaratën e tyre.

Ne do të konsiderojmë që të ndërmarrim të gjitha aksionet e nevojshme duke përfshirë të gjitha procedimet ligjore, në përputhje me ligjet ndërkombëtarisht të aplikueshme për mbrojtjen e interesit dhe të drejtave tona”, thuhej në deklaratën e lëshuar.

Qeveria e Kosovës nuk i mori seriozisht deklaratat e saj. Ministri i Zhvillimit Ekonomik në atëkohë Fadil Ismajli bëri të ditur se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë Axos e cila u shpall fituese.

Por Kompania ACP Axos Capital GmbH  e vuri në jetë padinë ndaj Kosovës me 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Qeveria e Kosovës tek me 2 shtator të vitit 2015 bëri ndarjen e një shumë prej 200 mijë eurosh për mbrojtje në Arbitrazh.

U vendos që kompania “Patton Boggs” të jetë përfaqësuesja e saj ligjore për të zgjidhjen e këtij kontesti. Kjo kompani për përfaqësim ligjor të Kosovës në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjedhjen e Kontesteve Investive ne rastin me “Axos” ka kërkuar të paguhet në vlerë prej 17 mijë e 700 dollarë.