Komisioni miraton me procedurë të përshpejtuar Projektligjin për pronat, VV-ja kundër

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ka shqyrtuar dhe miratuar me procedurë të përshpejtuar në lexim të parë në Kuvend Projektligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Lajme

11/07/2018 16:24

Anëtarët e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adem Mikullovci dhe Valon Ramadani, ishin kundër që ky Projektligj të miratohet me procedurë të përshpejtuar, por propozimi i tyre për t’i dhënë më shumë kohë komisionit ta trajtojë materialin, nuk u miratua, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, tha se është kërkuar që ky projektligj të miratohet në mënyrë të përshpejtuar pasi për të ka nevojë zhvillimi ekonomik i vendit, sepse, sipas tij, pronat po mbahen të bllokuara.

Zëvendësministri i MAPL-së, Beqir Fejzullahu, tha se me projektligjin e ri janë shkurtuar procedurat e ankandit publik dhe kryetari i komunës do të ketë të drejtë të negociojë për pronën.

“Janë shkurtuar procedurat e ankandit publik, kryetari i komunës të këte të drejtë të bëjë negociata për pronën”.

Besnik Tahiri, koordinator nacional për reforma, ka thënë se në mungesë të këtij ligji kryetarët e komunave kanë qenë të cunguar dhe nuk kanë pasur mundësi të shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik të komunave.

Ai ka deklaruar se miratimi i këtij projektligji në mënyrë të përshpejtuar ka qenë kërkesë e kryetarëve të komunave.

“Kam marrë pozitën qe 3 muaj dhe kam marrë kërkesat e të gjitha komunave, kemi 40 kërkesa me stimulu zhvillimin ekonomik. Janë dhjetëra investitorë që kanë ikur. Ky ligj e krijon këtë bazën. Në takimin me kryetarët ata kanë qenë të zëshëm që ky projektligj të shkojë me procedurë të shpejtë. Kjo është për kryetarët, është lehtësim për komunat, sepse në planifikimet e tyre mund t’i fusin elementet e rëndësishme. Kryetarët në mungesë të këtij ligji kanë qenë të cunguar, s’kanë pasur kapacitet me shty zhvillimin ekonomik lokal”.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, ka kërkuar të dijë se si një pronë mund të merret nga AKP-ja dhe që kryetari i një komune të mund të negociojë.

“Qysh do t’i merret prona AKP-së që kryetari të mund të negociojë. E kemi asamblenë e Prizrenit që është pronë e AKP-së, ka bërë kërkesa. Ky ligj e ka qasjen në negocim, kurgjo tjetër”.

Sekretarja e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj, tregoi disa nga risitë në projektligjin e ri.

“Ky ligj përcakton që deri 31 dhjetor të çdo viti komuna të publikojë listë me pronat që planifikohet të jepen në shfrytëzim gjatë vitit të ardhshëm. Nuk është se ligji aktual ka qenë shumë i keq, por në momente të caktuara i ka privuar komunat që të procedojnë më shpejt”.

Shqipe Pantina nga PSD ka thënë se përkrahin dërgimin e Projektligjit në lexim të parë. Ajo kërkoi që në lexim të dytë të sqarohet çështja me AKP-në.

“Pajtohem me këto ndryshime në lehtësimin e procedurave. Pas leximit të parë duhet të sqarojmë çështjen me AKP-në. Vendimi përfundimtar të jetë i nivelit komunal e jo ekzekutivi, kryetari. Për mua nuk është mirë e definuar çështja e vendimit të Qeverisë. Në lexim të dytë ju kisha lutur që të jeni bashkëpunues që cfarëdo amendamenti ta diskutojmë bashkë. Në parim e përkrah këtë projektligj”.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, tha se përkrah fuqishëm këtë projektligj, sepse sipas tij, komunat deri tash kanë qenë të shantazhuara nga një grup rreth AKP-së, të cilin e quaji kriminal.

“Do e përkrahi fuqishëm këtë ligj. Komunat deri tani kanë qenë vegla dhe kanë qenë të shantazhuar prej një grupi kriminal rreth AKP-së. E dimë që AKP dirigjohet nga partitë politike. Kurdisja e shitjes së pasurisë së Kosovës, janë vrarë njerëzit. Ky ligj është shumë i domosdoshëm, grupi i Nismës do ta përkrah. Heshjta e qeverisë brenda 30 ditëve duhet të jetë si aprovim”.

Arban Abrashi, nga LDK, tha se ky projektligj është nga më të rëndësishmit, por nuk duhet të nguten pa u sqaruar disa çështje.

“Është një prej ligjeve më të rëndësishme por nuk është mirë me u ngutë. Është mirë mes leximeve m’i qartësu edhe disa gjëra se çka është interesi publik. Është mirë me specifiku sepse mund të hapim rrugë, s’po them për korrupsion, por kanë ndodhur shkëmbime pronash. Është mirë që në ligj të specifikohet në cilat raste dhe në çfarë kushte negocion. Është mirë me pasë një krahasim mes ligjit të vjetër dhe të riut”.

Edhe deputeti i LVV-së, Adem Mikullovci, propozoi që ligji të mos kalojë me procedurë të përshpejtuar por ti jepet kohë komisionit që të shqyrtojë më mirë materialin sepse tha që shumë gjëra janë të paqarta.

“Propozoj që të na jepni 3-4 ditë që komisioni të përpunojë më mirë materialin se sot jam munduar të shfletoj, por kam pak vërejtje sepse shumë gjëra nuk i kam kuptuar”.

Rasim Selmanaj nga AAK deklaroi se ky ligj është domosdoshëm dhe i shumëpritur. Ai tregoi një rast nga koha kur ka qenë kryetar i komunës së Deçanit, ku sipas tij për shkak të procedurave burokratike është larguar një investitor i huaj i cili planifikonte të punësonte rreth 300 persona.

“Ky ligj është i domosdoshëm dhe shumëpritur. E kam përvojën e menaxhimit të komunës dhe me kujtohet kur kemi humbur një investitor të huaj me ofertë për punësim të 300 personave, por për shkak të procedurave burokratike s’ka ndodhur”.