Komisioni Europian nga sot me udhëheqësi të re

Nga sot KE do të udhëhiqet nga figura të reja politike. Në krye të KE-së, do të jetë Jean Claude Junker, ndërsa Catherin Ashton do të zëvendësohet nga Federica Mogherini.

Bota

01/11/2014 13:07

Komisioni Europian(KE) nga sot do udhëhiqet nga një kabinet i ri i komisionerëve. Detyrën e të parit të KE-së do ta marr Jean Claude Junker, i cili zë vendin Jose Manuel Barroso që ka kaluar dy mandate në krye të KE-së.

Catherin Ashton e cila udhëhoqi bisedimet për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si Përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, do të zëvendësohet nga italiania Federica Mogherini.

Me ardhjen në krye të KE –së, Jean Claude Junker ka bërë disa risi në strukturën e Komisionit Europian duke e sjellë edhe funksionin e nënkryetarit të KE-së të cilën e ka marrë holandezi Frans Timmermans derisa ka ndryshuar emrin e Komisionerit për Zgjerim nga Zgjerimi dhe Fqinjësia lindore në Fqinjësia Lindore dhe Negociatat për Zgjerim.

Ndërkohë ardhja e Mogherinit siç dihet kishte nxitur debate për shkak të mungesës së përvojës së diplomates italiane, pasi ajo vetëm disa muaj i kishte kaluar në krye të Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Roza Balfur nga Qendra për Politikë Europiane, megjithatë thotë se Mogherini do të jetë njësoj e suksesshme në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk shoh asnjë arsye që Mogherini të jetë më pak e suksesshme se Ashton në udhëheqjen e dialogut” ka thënë ajo duke theksuar se pas emërimit Mogherini menjëherë e ka vizituar Beogradin dhe Prishtinën.