Komisionerja e BE-së: Kosova duhet ende të punojë për liberalizimin e vizave

Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, tha se Kosova duhet ende të punojë për liberalizimin e vizave.

Lajme

12/10/2018 10:07

Ajo pas takimit me zv.kryeministrin Enver Hoxhaj, ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, shtoi se tash i mbetet institucioneve që të punojnë me vendet veç e veç në mënyrë që vizat të hiqen shumë shpejt.

“Kosova ka punuar shumë për të fituar liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian flet në një zë dhe ne fuqishëm e mbështesim. Duhet të vazhdojmë të punojmë me Këshillin”.

“Është e rëndësishme që të vazhdohet me shtetet anëtare që ato të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Vazhdoni të besoni në vetvete mos shikoni në disa argumente të jashtme. Vazhdoni që të punoni përbrenda vendit tuaj dhe kjo është pjesë e procesi”.

Komisionerja e BE-së takohet me Hoxhajn, Llukën e Beqajn

Komisionerja e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, është pritur në takim nga zv.kryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Pas takimit do të ketë edhe konferencë për medie, raporton Ekonomia Online.

Gabrel do të jetë pjesë e konferencës “DIGITALKS”, e cila u hap mbrëmë. Në pesë panele do të diskutohet për temat “Ekonomia Digjitale- shtytës i zhvillimit ekonomik“, “Roli i Inovacionit në të ardhmen e digjitalizimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”, “Ndikimi i Inovacionit dhe Teknologjisë në rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat”, “Ndikim i Inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit në mes të sektorit privat dhe komunitetit të shkencës”, si dhe “ Parku Gjermano-Kosovar për Inovacioni dhe Trajnime”.

Para pjesëmarrësve të konferencës do të flasin kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; zv.kryeministri Enver Hoxhaj; dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësise, Besim Beqaj.