KOMF publikon dokumentin “Politikën për Mbrojtjen e Fëmijëve”

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në konferencën për media ka publikuar dokumentin “Politika për Mbrojtjen e Fëmijëve”. Ky dokument është hartuar në kuadër të Grupit Tematik për Arsim në KOMF.

Lajme

07/06/2018 17:58

KOMF me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve, krijimit të një ambienti të sigurt dhe miqësor, për të siguruar standardet më të larta të sjelljes dhe praktikës profesionale, prezanton modelin e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës, si një mjet që rrit vetëdijen dhe të kuptuarit e përbashkët mbi abuzimin, si dhe krijion një sistem parandalimi dhe mbrojtjeje për fëmijët ndaj formave të ndryshme të abuzimit.

Konferencën për media e hapi Petrit Tahiri – Kryesues i Grupit Tematik për Arsim në KOMF, i cili theksoi që ky model përmban parimet dhe kornizat kryesore të nevojshme të Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës, si dhe mbështetet nga udhëzime të qarta mbi atë se si duhet të zbatohet nga organizatat që punojnë me fëmijët.

Politika për Mbrojtjen e Fëmijëve u prezantua nga anëtarët e Grupit Tematik për Arsim në KOMF: Remzije Krasniqi – SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Muhamet Arifi  – Balkan Sunflowers Kosova dhe Albulena Shabani – Terre des hommes.

Remzije Krasniqi prezantoi pjesën për parandalimin e abuzimit, duke potencuar rëndësinë e vetëdijesimit, vlerësimit të rrezikut dhe dizajnimin e programit të sigurt, procesin e rekrutimit të sigurt, trajnimin dhe edukimin, si dhe rëndësinë e përcaktimit të personit kontaktues përgjegjës për mbrojtjen e fëmijës

Muhamet Arifi prezantoi pjesën e reagimit dhe mbrojtjes, duke theksuar që organizatat duhet të ndërtojnë një sistem reagimi dhe raportimi pavarësisht nga natyra e referimit, akuzat ose referuesi.

Albulena Shabani, tha se organizatat rekomandohet të monitorojnë rregullisht zbatimin e procedurave dhe zbatimin e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës. Krahas monitorimit dhe vlerësimit të përgjithshëm të Politikës të Mbrojtjes së Fëmijës, do të zhvillohet poashtu monitorimi reaktiv (pas incidenteve).

KOMF inkurajon të gjitha organizatat jo qeveritare dhe qeveritare, si dhe organizatat fitim prurëse, të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, të hartojnë dhe të adaptojnë Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, bazuar në programet dhe specifikat e organizatës, për të garantuar një ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët. Krahas hartimit të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijës, organizatat rekomandohen fuqishëm të bëjnë ngritjen e kapaciteteve të personelit për zbatimin e politikës.