Komentator të fatit

Jemi strehuar disi në vete, pa pasë farë ambicie të sillemi si shtet, me pretendimet që do të sipërfaqësonin dëshirën tonë për tu bërë shtet i barabartë me të gjithë të tjerët, në OKB dhe në Bashkimin Evropian.

Opinion

03/09/2015 09:20

Kur do të bëhemi ne, si gjithë të tjerët në Evropë? Kur do të mund të udhëtojmë pa viza? A do të merr fund së shpejti izolimi i qytetarëve të Kosovës? Çka dallojmë ne prej të tjerëve në Evropë, pse po trajtohemi në këtë mënyrë?

Janë këto pyetje që secili prej nesh i bën thuaja çdo ditë. Rrëfimi për liberalizimin e vizave, këtupari nisi në vitin 2009, kur u mor vesh që ne nuk jemi, si shtet, as në të ashtuquajturën ‘Listën e Zezë’ të Evropës (qytetarët e të cilave shtete nuk mund të udhëtojnë dot pa viza). Thjeshtë, nuk ishim kurkund.

Që prej atëherë, shumëçka ka ndodhë në Kosovë dhe në Botë.

Çuditërisht, Kosova, kështu si është, e izoluar, i ka shpëtuar goxha mirë shumicës së telasheve të mëdha ndërkombëtare politike, ekonomike, financiare. Këtu dikush menjëherë mund të shtojë që ka pasë, me bollëk, telashe origjinale vendore, prandaj, nuk i janë dashur edhe ato ndërkombëtare. Megjithatë, ta zëmë, Kosova i ka hetuar pak pasojat e krizës financiare në Evropë, sepse fatmirësisht, shqiptarët e Kosovës jetojnë në shtetet e Evropës që janë stabile. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte që ndihma financiare që vjen prej Perëndimit për familjet tona, të dyfishohet brenda disa viteve. Sikur të goditeshin kosovarët në Evropë nga problemet financiare, nuk do të mbërrihej kurrë tek shifra prej gati 700 milionë Euro përkrahje vetëm gjatë vitit 2014. Nuk është vështirë të paramendohet se çka do të ndodhte këndejpari, poqëse nuk do të mbërrinin tek ne, as gjysma e këtyre 700 milionë eurove.

Edhe krizën e madhe në Greqi, ne e kemi përcjellë me një interes modest, për dallim, ta zëmë, prej Shqipërisë, e cila ndikohet drejtpërsëdrejti nga teposhtëza e fqiut të saj.

Teksa pra, nuk na pëlqen aspak të jemi të izoluar, dhe derisa nuk kemi pasë pasoja të mëdha prej zhvillimeve problematike në Botë, duket që jemi strehuar në vete, pa pasë farë ambicje të sillemi si shtet, me pretendimet që do të sipërfaqësonin dëshirën tonë për tu bërë shtet i barabartë me të gjithë të tjerët, në OKB, në OSBE, në Paktin NATO, në Bashkimin Evropian.

Jemi kështu të ngujuar, dhe nuk kemi çka të bëjmë. Nuk kemi çka të mirremi me punët e Botës. Ndërsa vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës, nga vetë natyra e tij, thërret për një sjellje të përgjegjshme në rajon, në Evropë dhe në Botë. Kosova duhet të bëhet, këtë e themi sa herë flasim për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit tonë, eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit, hisenike në krijimin e një Ballkani që një herë e përgjithmonë do të lë prapa një histori që u bë nga kontinuiteti i tragjedive. Ky vlerësim, fatkeqësisht, u përmend shumë prej nesh edhe në fillim të këtij viti, kur ndodhi ajo dyndja masive e dhjetëra mijëra kosovarëve kah Perëndimi.

Sjellja e përgjegjshme e një shteti, midis tjerash, nënkupton edhe përcjelljen e kujdesshme të sprovave me të cilat po ballafaqohet rajoni dhe Evropa, javëve të fundit, me ekzodin masiv të qindra mijëra sirianëve, (por edhe të fatkeqëve të tjerë nga Iraku dhe Afganistani), të cilët, nuk kanë si të kalojnë kah Kosova, sepse ajo nuk gjindet në hartën e shpëtimit të tyre.

Në përgjithësi, ne nuk kemi bërë gjë në këtë aspekt, pos që kemi bashkëndje me sirianët dhe të tjerët që duan të shpëtojnë nga tmerri, sepse në vitet e luftës, këndejpari, e kemi pasë të njejtin fat.

A kemi mundur të bëjmë diçka si shtet? A ka pasë gjasa që qoftë edhe përkohësisht, të strehojmë, një numër simbolik të sirianëve në Kosovë? Apo, të ndajmë një ndihmë financiare për ta?

Çfarë na rri në maje të gjuhës, shumë prej neve është kjo fjali: I kemi njëqind probleme tonat, nuk kemi çka t’i bëjmë kurkujt.

Kjo fjali, objektivisht, nuk korespndon me atë synimin e përmendur disa herë tashmë, për tu bërë pjestar i barabartë i familjes së shteteve në Evropë dhe në Botë.

Pastaj, çkado që do të bënim në këtë rast, kjo me siguri do të ndikonte në imazhin ndërkombëtarë të Kosovës, si dhe në shtimin e ndjeshmërisë për ne, për marrjen e liberalizimit të vizave gjatë vitit 2016.

Edhe kështu, edhe në këtë mënyrë pra, heqim qafe izolimin tonë si shtet.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)