Koment/ Viktor Jerofejev: Gjermanisë i duhen në pushtet njerëz me gëzim më të madh për jetën

Rusët dhe gjermanët janë nga mendësia shumë të afërt me njëri-tjetrin. Megjithatë të dy popujve u mungojnë tipare vendimtare, të cilat do t'ia lehtësonin kontaktin të dyja palëve, mendon shkrimtari i njohur rus.

Bota

20/09/2017 11:00

Në dallim nga shtete të tjera evropianoperëndimore, Gjermania është e kuptueshme historikisht për rusët. Mentaliteti gjerman është i afërt me tonin, megjithatë i paarritshëm për ne. Nganjëherë na duket se mund të bëheshin pa problem gati si gjermanët, po të fillonim më në fund një jetë të re, të hiqnim dorë nga zakonet tona të këqia dhe t’i përvishisheshim punës.

Megjithatë, paaftësia jonë për të filluar një jetë të re nuk do të thotë në asnjë mënyrë ndarje, frakturë në marrëdhënie me Gjermaninë. Me tepër kemi të bëjmë me një frakturë brendaruse. Gjermania është te ne e pranishme në format më të ndryshme, që nga lagjet e vjetra gjermane në qytetet ruse deri te princeshat gjermane, që qenë martuar me carët rusë, nga Bachu deri te Hitleri, nga automjetet legjendare gjermane deri te lojërat e fëmijëve.

Një vend pacifist me fytyrë të frikësuar

Nga ky sfond historik Gjermania paraqitet sot si një pacifist me fytyrë të frikësuar: ruajna Zot, ishalla nuk ndodh gjë e keqe! E kujdesshme për të mos u përfshirë në asnjë mënyrë në ndonjë skandal ose në ndonjë luftë lokale, gjithmonë me veshin te rrahjet e rregullta të shpirtit dhe e vëmendshme për t’iu shmangur në rrugë forcave të këqia.

Gjermania mban vulën e tensionimit kronik. Gjermanët duket se fshehin diku thellë brenda vetes një dhimbje. Dhe kjo dhimbje fantazmë jeton në shpirtin gjerman. Ajo e bën atë të plagosshëm dhe nganjëherë edhe mjaft frikacak.

Unë ndihem shumë i lidhur me Gjermaninë. Shumë nga librat e mi janë botuar në gjermanisht, nuk janë të pakta gjërat që më lidhin me këtë vend. Prandaj unë i shoh zgjedhjet në Gjermani në fakt me shqetësim: ku do të shkojë ky vend?

Do të dëshiroja që në Gjermani të fitojë një demokraci e zgjuar – një demokraci, e cila është në gjendje që ta mbrojë veten, dhe të mbetet këtu e hapur për botën dhe për kulturat e shumëllojshme.

Tani, kur bota po zhytet sërish në atmosferën e Luftës së Ftohtë, do të dëshiroja që gjermanët të pushojnë së vuajturi nga “sëmundja e fëmijëve” anti-amerikanizëm. Në Kremlin natyrisht që fërkojnë duart nga shfaqjet e herëpashershme të kësaj sëmundjeje.

Gjermania duhet të bëhet më e çlirët

Do të dëshiroja që në Gjermani të vinin në pushtet njerëz që e shohin më me gëzim jetën. Njerëz që nuk janë të aftë, që të punojnë dhe t’i kapërcejnë vështirësitë, por edhe që të gëzohen pa kufi, ashtu si punojnë pa kufi. Unë njoh njerëz të tillë në Gjermani – por ata kanë një raport të largët me të pushtetshmit.

Gjermania është një vend i fortë, modern. Unë jam takuar atje me shkencëtarë dhe artistë – me njerëz krijues të nivelit më të lartë, të cilët nuk kanë pse të kenë frikë nga krahasimi me botën. Gjermania duhet të paraqitet më e çelur: si një vend me studentë me motivacion të lartë (unë kam dhënë mësim në Freie Universität Berlin dhe e di për se flas), me gazetarë të shkëlqyer, me profesorë, me njerëz të angazhuar në shoqëri, me të gjithë ata që mund të diskutojnë dhe që janë në gjendje ta mbrojnë pikëpamjen e tyre.

Pamja propagandistike e parajsës së gënjeshtërt

Për fat të keq, Gjermania mbërrin vetëm përmes televizionit rus te njerëzit, të cilët jetojnë diku në qytetet e vogla të hapësirave të largëta të vendit dhe të cilët nuk kanë qenë kurrë atje. Dhe që prej krizës së Krimesë stacionet televizive shtetërore punojnë me të gjitha fuqitë që ta paraqesin të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe Gjermaninë, si një marramendje të madhe, si një parajsë false. Në Moskë dhe në provinca mund të shohësh madje etiketa të ngjitura në automjete me parulla si “Drejt Berlinit!” ose “Ne mund ta rimarrim atë!” Këta njerëz të palumtur me trutë e tyre të mjegulluar nga propaganda ngatërrojnë Dje me Sot.

Të mbetet vetëm të shpresosh që politikanët që do të formojnë qeverinë gjermane pas 24 shtatorit ta dinë dhe ta kuptojnë që vlerat bazë të Rusisë mbrohen nga artistët dhe intelektualët e saj më të mirë. Dhe këto janë vlerat e letërsisë ruse, jo ato të farkëtuara nga propaganda e Kremlinit. Për këtë shkak ushtrohet dru edhe kundër artistëve rusë (shih rastin aktual të regjizorit Kirill Serebrenikov). Por pikërisht kultura i ofron Rusisë dhe Gjermanisë mundësinë për t’u afruar me tjetrin dhe për ta kuptuar njëri-tjetrin. Nëse jo tani, atëherë të paktën në një të ardhme jo të largët./DW

Viktor Jerofejev, i cili mbushi 70 vjeç në 19 shtator është një shkrimtar rus. Në vitin 1979 atë e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik. Emër ndërkombëtar ai fitoi në vitin 1990 me romanin “Bukuria moskovite”, që u përkthye në 27 gjuhë. Ai jeton në Moskë dhe shprehet rregullisht në mënyrë kritike për politikën e Vladimir Putinit.