Koment: Pas zgjedhjeve është para zgjedhjeve në Katalonjë

Edhe pas zgjedhjeve partitë e pavarësisë përbëjnë shumicën në parlamentin e Katalonjës. Ose ato duhet të ndryshojnë kursin, ose kriza do të vazhdojë. Njëkohësisht erës Rajoy po i vjen fundi, mendon Barbara Wesel.

Bota

23/12/2017 08:56

Vullneti i zgjedhësve mund të jetë i pashpjegueshëm. Një ndër fituesit e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është presidenti i shkarkuar katalonjas Carles Puigdemont. Pikërisht personi, i cili provokoi krizën e rëndë mes Barcelonës dhe qeverisë qendrore në Madrid dhe u arratis në Belgjikë prej pasojave juridike. Partnerët e tij të koalicionit, drejtuesit e të cilëve ndërkohë ndodhen në arrest hetimor, e akuzuan atë për burracakëri. Megjithatë katalonjasit vendosën për vazhdimin e disfatës me të njëjtat mjete.

Qeverisje nga burgu apo nga emigracioni?

Pavarësisht gjithë entuziazmit të Puigdemont-it për “fitoren e demokracisë për republikën katalonjase”, pikërisht ai nuk është për një rrugëdalje nga situata e mbetur në vend numëro. A do ta lejojë Madridi që ai të kthehet në Spanjë dhe partnerët e tij të koalicionit të vazhdojnë ta mbështesin atë? Partia e dytë e pavarësisë ndërkohë po tregohet më e moderuar dhe e gatshme për bisedime. Mes dy kryetarëve të partive nuk ka dashuri. Por vet Puigdemont nuk është politikan, ai është një luftëtar besimi. Ai ka ndjekur asnjë qëllim tjetër veç pavarësisë. Politika sociale, gjendja e shkollave dhe e sistemit shëndetësor nuk i interesojnë atij. Katalonjasit e duan atë për pathosin e tij heroik, por në fakt ata kanë nevojë për një kryeministër pragmatik, që ta drejtojë rajonin sërsish drejt një rrjedhe të qetë.

A duan separatistët, prej të cilëve njëri është në burg e tjetri në emigracion, të emërojnë zëvendësat e tyre që të krijojnë një qeveri të përbashkët? E cili do të ishte qëllimi i tyre i përbashkët? Për pavarësinë e njëanshme nuk ka shumicë absolute që ta mbështesë as në Katalonjë dhe as në pjesën tjetër të Spanjës, e aq më pak në Europë. Por a janë të gatshëm gjaknxehtët që të përpiqen të gjejnë një rrugë të mesme?

Ngjitja e liberalëve

Fituesja tjetër e zgjedhjeve në Katalonjë është Ines Arrimadas. Kryetarja energjike e partisë liberale nuk është sprapsur prej retorikës agresive të separatistëve. Kampi qytetar i katalonjasve e ka vlerësuar guximin e saj luftarak duke e bërë me votë partinë e saj të tretën për nga fuqia në parlament.

Arrimadas i bën thirrje arsyes së banorëve të rajonit, e quan pavarësinë një mashtrim politik dhe luan kryesisht me kartën e ekonomisë. Por asaj i mungojnë partnerët e koalicionit: socialistët janë shumë të dobët dhe partia konservatore PP, në pushtet nën drejtimin e Mariano Rajoy, përjetoi një rënie të plotë në votime. Liberalët ndonëse kanë të drejtë të krijojnë qeverinë, nuk kanë shans real për ta bërë këtë.

Fundi i erës Rajoy?

Padyshim këto zgjedhje ishin të lira dhe demokratike. Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy duhet të ambientohet tani me këtë rezultat tërësisht të padëshiruar. Ai e ka vlerësuar krizën qysh në fillim gabim dhe nuk ka treguar as instikt dhe as mençuri politike. Kokëfortësia e tij dhe përpjekja e pakuptimtë, që ta zgjidhë problemin e pavarësisë me gjykatat, së shpejti mund të bëjnë që të bien klëmbanat e fundit të erës së tij. Kjo sepse në kampin e tij atij do t’i bëjnë konkurrencë liberalët. partia e re është e paprekur prej skandaleve të korrupsionit dhe ajo premton një fillim të ri. Pas disfatës në Katalonjë ditët e Rajoy-t mund të jenë të numëruara.

Një rezultat i padëshiruar votimesh

Demokracia mund të sjellë rezultate, qe nuk bëjnë askënd të lumtur. Kjo vlen për separatistët, që përdorin tone të larta, por në realitet dështojnë. Por po ashtu kjo vlen edhe për unionistët, që vazhdojnë të mbeten peng në opozitë. Sidoqoftë ankesat nuk ndihmojnë: katalonjasit duhet ta pranojnë këtë rezultat dhe të gjejnë një rrugëdalje. Ose ato duhet të bashkohen me thirrjen pë zgjedhje të reja. Epo që të bësh zgjedhje aq herë derisa rezultati të jetë i përshtatshëm, kjo nuk është zgjidhje. Në Barcelonë ka ardhur koha për kompromise./DW