Koment: Loja e Dodikut me zjarrin

Presidenti i entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik skicon harta të reja. Ai nuk heziton fare për projekte tepër të rrezikshme, mendon Erich Rathfelder

Bota

23/11/2017 16:09

Sikur Bakir Izetbegoviqit, Mlladen Ivaniqit dhe Dragan Çoviqit më parë, edhe Dodikut i është vënë përpara nga Deutsche Welle një hartë ku ai duhej të përgjigjej, nëse është dakord me kufijtë e tanishëm apo pretendon t’i ndryshojë ata. Dodiku ishte i vetmi, i cili vërtet mori lapsin në dorë dhe para kamerave filloi të vizatonte kufijtë e rinj.

Edhe më parë dikur janë vizatuar harta dhe janë vizatuar kufij të rinj. Projekti i parë serb për një “Serbi të Madhe” ka përfunduar me luftëra të tmerrshme të përgjakshme, të cilat në fund pala serbe i ka humbur. Tani sërish presidenti i entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik, merr guximin të vizatojë harta dhe të shprehë dëshirën për ndryshimin e fytyrës së Evropës Juglindore. Para kamerave ai ndan  Republikën Srpska nga Bosnje-Hercegovina dhe ia bashkon Serbisë. Ai ndan edhe Kosovën dhe veriun e saj ia bashkon Serbisë.

Kjo të kujton aspiratat e një luftëtari të madh, i cili tani ka pushtet, dhe do të ndryshojë pamjen e botës. Fakti që Trebinjën dhe pjesë të  tjera të Hercegovinës lindore ua lë kroatëve, është vetëm një fusnotë. Në këtë mënyrë ai mbështet krijimin e një entiteti të tretë. Si dikur gjatë luftës, kur Karaxhiqi dhe Mladiqi në njërën si dhe Mate Boban dhe Jadranko Prliq në anën tjetër, ishin dakord që nga Bosnje-Hercegovina të ndajnë sa më shumë territor dhe t’ua bashkojnë vendeve të tyre amë.

Präsident der Republika Srpska Milorad Dodik (DW)Milorad Dodik në intervistë me Deutsche Wellen

Tribunali i Hagës e ka dënuar Ratko Mladiqin. Në ditët në vijim do të merret vendimi edhe për Jadranko Prliqin. Me këto dënime pretendohet të shlyhen spastrimet etnike që rezultuan me dhjetëra mijëra civilë të vrarë. Por politika e Mladiqit vazhdon. Marrëveshja e Dejtonit e ka shpërblyer politikën serbe të krimeve të luftës me ndarje territoriale të vendit. Pikërisht për këtë shkak presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik e vlerëson pozitivisht marrëveshjen e Dejtonit në intervistë me Deutsche Wellen. Por ai dhe propaganduesit tjerë harrojnë se Karaxhiqi dhe Mladiqi e kanë refuzuar këtë Marrëveshje të Dejtonit. Atë nuk e ka nënshkruar asnjë serb i Bosnje-Hercegovinës, por Sllobodan Millosheviqi. Po çfarë roli luan kjo histori për kohën e sotme?

Dodiku tani pret. Ai nuk kërcënon me referendum, por ende ëndërron referendumin. Ai në përgjithësi konteston shtetin e Bosnje-Hercegovinës. Ai dhe serbët e Bosnje-Hercegovinës kanë bërë krejt ç’është e mundur për të thelluar ndarjet në vend dhe kanë asgjësuar përpjekjet e ish-përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar Paddy Ashdown për riintegrimin e vendit, kanë bllokuar kthimin e të dëbuarve dhe kanë kanë vështirësuar integrimin e të kthyerve.

Dodiku vet ka kontribuar shumë për bllokadën ekonomike të Bosnje-Hercegovinës. Ai është shkaktar për gjendjen e rëndë ekonomike në pjesën që drejton. Varfëria dhe mungesa e perspektivës është pasuar me largimin e njerëzve. Republika Srpska është boshatisur në shumë pjesë të saj. Ajo është futur në borxhe të mëdha. Por Dodikut nuk i interesojnë fatet e njerëzve.

Bosnien und Herzegowina Banjaluka Lokalwahlen Milorad Dodik (DW/D. Maksimovic)

“Strategu i madh” tani kritikon Serbinë, e cila për fat të keq nuk qenka në gjendje të ndjekë politikën e tij. Ai mendon se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ky do të ishte momenti kur ai do të ndante Republikën Srpska nga Bosnje-Hercegovina.

Ai që ka qenë i gatshëm të vizatojë harta para 26 vjetësh, ishte i gatshëm të shkojë deri në pikën më të skajshme për të dëmtuar “kundërshtarin” por edhe shoqërinë e vet.

Sot do të ishte me rëndësi sikur Evropa (ngjashëm si ambasadorja amerikane) ta cilësojë Dodikun, si një politikan i cili nuk ka të bëjë fare me vlerat perëndimore dhe se me këtë person nuk ka çfarë të flitet. Dodiku është i vetdijshëm se mund të plagoset lehtë. Regjimi i tij mund të shkatërrohet lehtë financiarisht, sepse ai varet nga ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare. Madje as rusët nuk do ta financojnë përgjithmonë.

Vizionet dhe ëndërrat e tij të rrezikshme kanë vetëm një qëllim – mbetjen në pushtet./DW