Koment: Kongresi i SHBA u ndihmon nacionalistëve

Meqenëse Rusia i ka detyruar që të largohen nga vendi qindra punonjës amerikanë të Ambasadës, SHBA e kanë kufizuar në mënyrë drastike dhënien e vizave për rusët. SHBA u bëjnë dëm synimeve të tyre, mendon Miodrag Soric.

Bota

22/08/2017 09:05

Veprim sa dritëshkurtër, aq edhe kundërproduktiv: rusët, që duan të shkojnë në SHBA do t’i marrin vizat në të ardhmen vetëm në Moskë – jo më në konsulatat e përgjithshme në qytetet e tjera ruse. Lufta e sanksioneve e SHBA dhe e Rusisë kalon në një raund të ri, krijon një dinamikë të brendshme, u shket politikanëve gjithnjë më shumë nga duart. Në fund ndodh pikërisht ajo, të cilën donin ta pengonin skifterët në Kongresin amerikan: ata godasin vetëm shoqërinë civile ruse. Edhe më keq: ata u ndihmojnë atyre politikanëve, të cilët donin ta mbanin edhe më tej të izoluar Rusinë.

Mijëra kilometra për të marrë një vizë?

Sepse çfarë do të ndodhë kur një student rus nga Jekaterinburg apo një biznesmen nga Vladivostoku të ketë mundësinë të marrë vetëm në Moskë një vizë të SHBA? Shumë as e përballojnë dot rrugën rrugën e gjatë dhe të shtrenjtë për në kryeqytetin rus. Si rrjedhojë ata do të rrinë në shtëpi. Shkurt: numri i rusëve, që do të krijojnë në të ardhmen një përfytyrim të vetin për Amerikën do të pakësohet në mënyrë drastike.

Ai që do ta ndryshojë Rusinë, që do të ndryshojë mentalitetin e njerëzve atje, ai duhet të flasë me njerëzit, t’i ftojë ata, t’ua tregojë atyre Perëndimin gjoja kaq armiqësor. Ose si thotë një fjalë e urtë ruse: Të shohësh një herë ka më shumë vlerë se të dëgjosh mijëra herë. Rusë të rinj, që e kanë parë Times Square në Nju Jork, botën e biznesit në Londër ose jetën kulturore të Berlinit kthehen të ndryshuar në shtëpi. Ata kanë një vështrim tjetër për Rusinë, si është dhe si mund të ishte. Nxitja e këtij procesi ndryshimesh duhet të jetë në fakt objektivi më sublim i diplomacisë perëndimore. Me vendimin e tij, për ta kufizuar në mënyrë drastike dhënien e vizave të SHBA Uashingtoni arrin pikërisht të kundërtën.

Miodrag Soric

Me cilat masa përgjigjet Moska?

Si do të ecë puna më tej? Në Parlamentin rus po dëgjohen zërat e parë që kërkojnë sanksione të tjera kundër Rusisë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov e kundërshton këtë. Në fund, vendimin mund ta marrë vetëm Presidenti Putin. Sido që të jetë ai vendim: marrëdhëniet amerikano-ruse janë në një pikë të re të ulët. Aq më i rëndësishëm bëhet roli i Gjermanisë: natyrisht që Berlini është pa diskutim pjesë e Perëndimit, një aleat besnik i SHBA. Në këtë nuk duhet dhe as do të ndryshojë gjë në të ardhmen. Por politika ndaj Rusisë e Kancelares Merkel është më me nuanca dhe e drejtuar shumë më tepër në ndjekjen e synimeve afatgjata, se sa mund ta marrin me mend përfaqësuesit e vijës së fortë në Uashington. Angela Merkel ka njëkohësisht autoritetin dhe përvojën për të ushtruar ndikim moderues ndaj Uashingtonit. Sepse në plan afatgjatë as në Evropë, as në SHBA nuk mund të ketë njeri interes në këtë Rusi të fiksuar tek vetja. /DW