Koment: Dështim për Trumpin – fitore për Alabaman

Zgjedhësit në Alabaman konservatore treguan se edhe në kohët e polarizimit më të madh nuk janë parësore gjithmonë interesat partiake, por edhe dinjiteti dhe morali.

Bota

14/12/2017 09:10

Ishte një lojë me përfundim të panjohur, e cila përfundoi në një tërmet. Demokrati Doug Jones fiton papritur zgjedhjet për senatin në Alabama. Kandidati polemizues i republikanëve, Roy Moore, e humbet garën – edhe nëse me rezultat të ngushtë – dhe kjo ndodh në një shtet federal amerikan thellësisht konservator, në të cilin prej 20 vjetësh nuk ka fituar asnjë demokrat. Ky rezultat në zgjedhje është një sukses për partinë e demokratëve – pa asnjë dyshim. Dhe është një disfatë e hidhur për Presidentin Trump dhe agjendën e tij.

Pak para votimit, Trumpi qe shprehur qartë pro përfaqësuesit të të drejtave fetare. Megjithë kritikat për ngacmim seksual kundër Roy Moore, Presidenti u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta zgjedhin individualistin tepër konservator.

Një fitore për njerëzit në Alabama

Kjo është edhe një fitore për ish-kryestrategun e Presidentit, Steve Bannon. Propaganda e tij – sipas motos- “Alabama kundër Uashingtonit”- nuk zuri vend.

Vendimi kundër Roy Moore është prandaj një fitore për njerëzit në Alabama. Ata u rezistuan përpjekjeve për t’i bërë për vete të demagogëve si Steve Bannon. Ata dëshmuan se edhe në kohë të polarizimit politik nuk bëhet fjalë vetëm për interesa partiakë, por edhe për dinjitet dhe moral dhe për arsye të shëndoshë.

Shumica votoi kundër një burri, të cilin shumë gra e akuzuan se kur kanë qenë adoleshente i ka ngacmuar seksualisht. Ata votuan kundër një burri, i cili do ta ndalojë me ligj homoseksualitetin dhe që donte t’u pengonte hyrjen në kongres myslimanëve.

Natyrisht që për shumë republikanë në Alabama nuk qe e lehtë që në këto zgjedhje të qendronin në shtëpi ose të votonin për një demokrat. Humbja e një vendi në senat të dhemb. Por me Doug Jones demokratët kishin nisur në garë në Alabama një kandidat të fortë, që mund të zgjidhej edhe në Alabama. Megjithëse në çështjet e abortit dhe të të drejtave për homoseksualët ai ka pozicione më tepër liberale, ai është një ithtar i fortë i së drejtës së armëmbajtjes dhe një i krishterë besimtar.

Trumpi e ka vetë fajin për disfatën

Edhe nëse zgjedhjet në Alabama qenë një rast i veçantë, sepse Moore për shumë vetë thjesht ishte i pazgjedhshëm, kjo fitore do t’u japë krahë demokratëve. Ata shpresojnë që në zgjedhjet e ndërmjetme më 2018 ndoshta të fitojnë shumicën në të dy dhomat e Kongresit.

Fajin Donald Trumpi e ka vetë. Ai besoi se mbështetja e tij për një kandidat si Moore mund ta imponojë fitoren. Por zgjedhësit në Alabama nuk e lanë të kalojë kjo zgjedhje amorale e Presidentit. Dhe bënë mirë./DW