Kombëtarja gjermane – pasqyrë e Gjermanisë

Ekipi i kombëtares gjermane pasqyron shumë mirë shoqërinë në Gjermani. Prandaj ekipi është shumë i afërt me ne në kuptimin e mirë dhe të keq të fjalës, mendon Jens Thurau.

Bota

27/06/2018 12:05

Toni Kroos, golashënuesi i të dielës, qytetar kozmopolit cool nga Madridi dhe Greifswaldi tha mbas ndeshjes me Suedinë: “Mua mu duk sikur shumë njerëz në Gjermani do të gëzoheshin nëse ne sot do të kishim humbur dhe do të largoheshim nga kampionati”. Kjo tingëllon si shpallje lufte.

Por ky vëzhgim është i drejtë. Sepse Gjermania është aq e përçarë saqë nuk mund të bëhet bashkë as për kombëtaren e vet. Për populistët e djathtë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në ekip luajnë shumë myslimanë dhe lojtarë me ngjyrë, dhe se lojtarët me prejardhje turke bëjnë me dashje ose jo reklamë për autokratin, Erdogan. Në këtë mënyrë i kthejnë edhe ata që janë mirënjohës kundër. Gjermania në vitin 2018.

Mrekullia ekonomike – Ata që qëndrojnë jashtë kthehen në kampiona bote

Ekipi gjerman dhe Gjermania kanë qenë gjithnjë për t’u marrë si shembull. Në vitin 1954 gjermanët qëndronin jashtë, po ashtu si Republika Federale Gjermane. Një trupë e përbërë nga fëmijë lufte dhe ushtarë të kthyer nga lufta fiton në Bern në ndeshjen me Hungarinë, ekipi më i mirë i asaj kohe. Në kokat e njerëzve mbetet imazhi i kapitenit Fritz Walter, se si merr me përulësi dhe me nder kupën e kampionit. Gjermanët janë sërish në lojë, por të qetë dhe paqësorë. Mësimet nga historia janë mësuar. Kurrë më luftë. Lidhja midis ekipit të futbollit dhe popullit nuk ka qenë kurrë më e ngushtë.

Pastaj në vitet shtatëdhjetë: Kampion europe gjithë shkëlqim më 1972, një simbol për hovin e këtyre viteve. Günter Netzers me hapa gjithëpërfshirës dhe flokë që tunden nga era. Guxim për më shumë demokraci. Por dy vjet më vonë ekipi torturohet për të marrë titullin e kampionit të botës nga vendi i vet. Pas një parapërgatitjeje në periudhën e terrorit të majtë, të izoluar në kampin e trajnimit në landin Schleswig Holstein. Netzer i përkulur në stolin e trajnerit. Në gjysëmfinale ekipi mundet nga ekipi gjerman i Gjermanisë Lindore. Revolucioni morri fund.

Mbas rënies së murit – në vitet e pamposhtura?

Më 1990 ekipi i fundit i Gjemanisë së ndarë Perëndimore fiton Kampionatin Botëror- tani çdo gjë është e mundshme. Si mund të ndodhte ndryshe me këtë mrekulli të rënies së murit? Franz Beckenbauer thotë se ky ekip do të jetë i pamposhtur për vite me radhë. Një ndjenjë që u përhap edhe tek gjermanët në atë kohë. Por kjo ndodhi gabimisht. Bashkimi ishte më i vështirë se sa mendohej, ekipi bëhet edhe një herë Kampion Evrope më 1996, pastaj ekipi rrotullohet e përdridhet për vite të tëra. Po ashtu si Gjermania. Epoka e Kohlit zgjat pambarimisht, deri më 1998. Në vitet e mëpasme një gazetë e huaj e quan Gjermaninë “njeriu i sëmurë i Evropës.” Terrori kthehet sërish, kësaj here ai është islamik. Papunësia e lartë.

Deri në verën e ëndërrave më 2006. Gjermania bëhet kampione bote në Kampionatin që zhvillohet në Gjermani. Me lojtarë të rinj the të freskët. Gjermania e re, e freskët, ekonomia lulëzon. Të gjithë mësojnë ç’do të thotë “public viewing”. Vetëm titulli mungonte. Kurora vjen vite më vonë: Me lojtarët me emrat Boateng, Khedira dhe Özil arrihet vepra e artit: 7:1 në ndeshjen me Brazilin në gjysmëfinale. Integrimi është i mundshëm dhe i suksesshëm. Selfies në kabinë me kancelare. Gjermania e re hapet nëpër botë, Berlini kthehet në magnet turistik, bëhet hipp si kurrë ë parë. Kampionët e botës priten triumfalisht në kryqytet, aeroplani (“fluturim i fituesit”) fluturon mbi qytet, të gjithë e shohin. Zgjat edhe një vit deri në fillimin e asaj që ne sot e quajmë “kriza e refugjatëve”. Dhe dy vjet e gjysmë deri sa Doland Trump bëhet president i SHBA.

Mbas krizës së refugjatëve –Ekipi nën presion

Po tani? Ekipi bën kthesën në mes të kampionatit dhe gjithnjë e më shumë njerëz venë në pikëpyetje kampionin botëror të 2014. Në Berlin kancelarja ndodhet nën tension si kurrë ndonjëherë. Njerëzit e vet nuk i binden më. Kombëtarja nuk duket të jetë e qetë dhe e gëzuar si në Brazil dikur. Ekipi, duket qartë, ndodhet nën presion. Gjermanët kanë mall për qartësi, për orientim në një botë të trubullt, dhe shpërthimi që shkaktoi goli i Kroos-it në ndeshjen me Suedinë është i qartë: arritur në sekondën e fundit, pas shumë gabimeve dhe goditjeve. Papritur.

Politika duket se ka humbur, shoqëria po ashtu: të ketë vullnetin për të sjellë gjëra të mira, pa u menduar shumë, pa frikë dhe shqetësim. Vendi është mbytur në ankesa, atmosfera agresive. Mbase vendi dhe qeveria mund të marrin kësaj here shembull tek ekipi i kombëtares./DW