Komandanti i KFOR-it: Kosova tregoi shpirt demokratik

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Salvatore Farina ka thënë se Atmosfera e qetë ne të cilën u mbajtën zgjedhjet tregon edhe një herë pjekurinë demokratike. Kurse, pjesëmarrja e lartë e qytetarëve të grupeve të ndryshme etnike dhe minoriteteve, sipas tij, është një manifestim i qartë i shpirtit demokratik.

Lajme

09/06/2014 15:30

Sipas tij, Policia e Kosovës ka treguar profesionalizm, efikasitet dhe efektivitet në sigurimin e kornizës së nevojshme të sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër. 

“Atmosfera e qetë ne të cilën u mbajtën zgjedhjet tregon edhe një herë pjekurinë demokratike dhe ndjenjën e obligimit qytetar që i ngjallë të gjithë njerëzit e Kosovës, si dhe tregon shkallën e lartë të efikasitetit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve të grupeve të ndryshme etnike dhe minoriteteve është një manifestim i qartë i shpirtit demokratik i cili i karakterizon qytetarët e kësaj pjese të Ballkanit,” tha Gjeneral Farina. 

Sipas një komunikate për media, KFOR-i ka udhëhequr një përgatitje preventive dhe të saktë për të dalë me një plan të detajuar duke shpalosur në mënyrë parandaluese tërë zbarkimin e trupave shumëkombëshe në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në rolin e tij si “përgjegjës i tretë”, duke u fokusuar në zonat të cilat kanë tendencë të jenë me rrezikshmëri më të lartë, në veçanti në veri të Kosovës ku shumica e Serbëve etnikë është e koncentruar. 

Me këtë qëndrim KFOR-i ka pasur për qëllim të ofrojë sigurimin e sërishëm të duhur, për të mirëmbajtur një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë të nevojshme, si për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë dashur ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, ashtu edhe për vëzhguesit e OSBE-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare dhe vendore, të cilët kanë pasur mundësi kryejnë në mënyrë të rregullt të gjitha operacionet në lidhje me procesin elektoral, me një prezencë diskrete dhe jo ndërhyrëse në afërsi të vendvotimeve. 

Komandanti i KFOR-it, ka konsideruar këto zgjedhje ‘një storie të suksesit për Kosovën’, një të arritur për procesin e normalizimit të raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit, një shembull i demokracisë dhe pluralizmit.