Komandantët kryesor të UÇK-së do t’i shpëtojnë akuzave të Williamsonit

Të paktën 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së do të akuzohen për krime lufte. Prokurori amerikan, Clint Williamson, ka gjetur prova për këto krime kundër civilëve, shumica prej tyre janë serbë. Gjatë hetimit nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ta mbështetur aktakuzën për trafikim organesh. Komandantët kryesor pritet të mos përfshihen në këto akuza

Lajme

22/07/2014 11:59

Ekipi i prokurorit amerikan, Clint Williamson, ka gjetur prova për krime lufte të paktën  kundër dhjetë ish- pjesëtarëve të UÇK-së, ka zbuluar “Koha Ditore”. 

Akuzat përfshijnë vrasje të civilëve , torturim dhe mbajtje  të tyre në kushte çnjerëzore, por jo trafikim me qëllim të heqjes së organeve. Të akuzuarit pritet  të ngarkohen me përgjegjësi penale për veprime individuale, e jo me akuza për përgjegjësi komanduese.

Rrjedhimisht, nga përgjegjësia penale pritet të shkarkohet kryeministri në detyrë Hashim Thaçi.

Gjetjet e hetimeve trevjeçare shkurtimit ua ka prezantuar të hënën shefi i Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF), prokurori Clin Williamson, ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministrit të Punëve të Brendshme, Baram Rexhepi, dhe atij të Forcës së Sigurisë, Agim Çeku. 

Në një takim që është mbajtur në zyrën e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, në Prishtinë, Williamson i shoqëruar nga shefi i EULEX-it, Bern Borchard, ka shpalosur shkurt rezultatin e hetimit që pritet të finalizohet me aktakuzë.

Burime nga takimi i kanë thënë “Kohës Ditore” se Williamson ka treguar se numri i të akuzuarave nuk është më i madh se 10 persona, se nuk ka prova të bollshme për të mbështetur  aktakuzën për trafikim organesh dhe se aktakuza nuk do të rrokë drejtues të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“z. Williamson ka thënë se javën e ardhshme në një konferencë në Bruksel do ta prezantoj raportin që nuk do të zbuloj rrethana specifike e as emrat e të akuzuarave të ardhshëm”, ka thënë burimi i gazetës.

“Po ashtu  Williamson ka njoftuar autoritetet kosovare se akuza për krime lufte  kundër civilëve  serbë dhe shqiptarë përfshijnë periudhën e luftës 1998-1999 dhe jo pas kësaj periudhe”, ka treguar burimi. 

“Në takim nuk është thënë në mënyrë eksplicite se nuk do të ketë aktakuzë për trafikim organesh , por është sqaruar se nuk ka prova që do të mund ta vërtetonin këtë akuzë”, shkruan “Koha Ditore”, duke u thirru në burimet e veta.

Aktakuzë kundër disa pjesëtarëve të UÇK-së do të ketë edhe për zhdukjen e një numri të madh serbësh në Zoqisht së Rahovecit. Me këtë akuzë pritet të ngarkohen dy komandant të zonës.