Komandant Shkrimtari

Shkrimtari i famshëm amerikan, Philip Roth (80), prej mbrëmë edhe zyrtarisht është - Komandant. I Legjionit të Nderit. “Franca po ju jep atë që ju i keni dhënë asaj”, tha Ministri i Jashtëm Francez.

ShowBiz

29/09/2013 20:21

Shkrimtari i famshëm amerikan, Philip Roth (80), prej mbrëmë edhe zyrtarisht është Komandant.

I Legjionit të Nderit.

Shefi i diplomacisë franceze, Laurent Fabius, në një ceremoni të mbajtur në New York, ia ka dorëzuar medaljen Roth’it, duke e çmuar lart karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe suksesin shumë të madh në Francë.

“Franca po ju jep atë që ju i keni dhënë asaj”, tha ministri francez.

Nder për Rothin, nder për Francën.

Roth, i cili në vitin 2012 – pas 53 vitesh karriere të suksesshme dhe 30 veprave –  pikëlloi botën letrare me vendimin që të mos shkruajë më, ka thënë se si i ri kishte mësuar gjuhën frënge, por tash e ka harruar.

“Kjo është për mua nder i madh dhe befasi magjike”,  është shprehur Roth në anglisht, kurse pastaj ka shtuar në frëngjisht: “Jam absolutisht i lumtur”.

I lindur në vitin 1933, Roth u bë i njohur që në 1959, me përmbledhjen e tregimeve “Goodbye, Colombus”, kurse famën e fitoi me bestsellerin “Portnoy’s Complaint”, në 1969.

Më vonë botoi shumë vepra të vlerësuara nga kritika, në të cilat shpesh paraqitet alter egoja e tij – Nathan Zuckerman. Romanet për Zuckermanin filluan me veprën “The Ghost Writer”, në 1979.

Viteve të fundit ka qenë kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi.

A.M.

Philip Roth flet për ndikimin e romanit “Portnoy’s Complaint” në karrierën e tij.