Komandant Hoxha: Rastin e Kumanovës ma ofruan ta menaxhoj, por e refuzova

Gazeta franceze “Media part” në një artikull kushtuar ngjarjeve të Kumanovës po zbardh dëshmi tronditëse përmes intervistës që e ka realizuar me Xhezair Shaqirin, ish komandant Hoxhën, transmeton Zhurnal.

Lajme

10/06/2015 13:45

Në këtë intervistë Shaqiri pranon se i është ofruar që ta udhëheqë grupin e armatosur mirëpo e ka refuzuar këtë. “M’u propozua që ta udhëheq aksionin por unë e refuzova”, thotë Xhezair Shaqiri për median franceze “Media part”.

Ai nuk ka dashur të tregoj se kush i ka propozuar që ta udhëheqë aksionin, por Hoxha akuzon qeverinë e Maqedonisë sidomos ish Shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov se ka bërë skenarin e ngjarjes në Lagjen e Trimave në Kumanovë, raporton Zhurnal.

Sipas tij, një pjesë e madhe e burrave të cilët u mblodhën në Kumanovë ishin mercenarë të paguar.

“Burrat të cilët u mblodhën në Kumanovë ishin të gjithë të paguar (mercenarë). Ata kanë vepruar si mercenarë edhe pse një pjesë e tyre ishin patriotë dhe veteranë të cilët i kam njohur mirë”, ka thënë Hoxha.

Mes tjerash në këtë intervistë po jepet një dimension tjetër grupit të armatosur nga Kosova. Sipas një shefi të policisë kosovare i njohur me nofkën “Zotëri D” ka deklaruar se “Grupi i kosovarëve kanë qenë ‘mbretër të kontrabandës me drogë’ të cilët kanë qenë të rrezikshëm për disa autoritete në Kosovë”.

“Disa prej anëtarëve të grupit në Kumanovë kanë qenë mbretër të drogës të cilët edhe u eliminuan, nuk ishin ata shefa të mëdhenj por ishin tepër të fuqishëm në teren. Në këtë grup vetëm Mirsad Ndrecaj alias komandant Nato kish pak përcaktim ideologjik kombëtar. Të gjithë të tjerët ishin vetëm mercenarë”, thekson “Zotëri D”, i cili i ka njohur të vrarët e grupit të armatosur, transmeton Zhurnal.