Kolegji i Apelit shtynë seancën në rastin e studentëve të UP-së, rrezikohet parashkrimi për disa vepra penale

Muhamed Maliqi, njëri nga të dënuarit në rastin e studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP), nuk kishte pranuar ftesë me rregull, e kjo gjë bëri që Kolegji i Apelit ta shtyjë seancën për 27 tetor të këtij viti.

Lajme

18/09/2017 13:20

Por, shtyrja e kësaj seance në gjykatën e shkallës së dytë, rrezikon që për disa të dënuar të parashkruhen disa nga veprat penale.

I dënuari nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me 7 muaj burgim, Kushtrim Morina mund të lirohet nga dënimi, nëse Gjykata e Apelit nuk vendos për këtë rast deri në tetor, periudhë kur i parashkruhet vepra penale “ndihmë në marrje të ryshfetit”.

Mbrojtësi i Morinës, avokati Asdren Hoxha, tha për “Betimi për Drejtësi”, se në aktakuzë precizohet vetëm muaji, ku pretendohet se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.

“Vepra penale do të parashkruhet në tetor, por data e saktë nuk dihet, pasi nuk është e cekur as në aktakuzë”, tha Hoxha.

Ndërkaq, mbrojtësi i Esat Belaj, avokati Ramë Gashi, të cilit iu kishte shqiptuar dënimi më i lartë, me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë, tha se në rastin e të mbrojturit të tij, nuk do të ketë parashkrim, përveç njërës prej veprave penale.

“Është vetëm ‘ushtrimi i ndikimi’, që ka rrezik parashkrimi”, tha Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 korrik të këtij vitit kishte shpallur fajtorë 12 asistentët dhe studentët UP-së, të akuzuar për regjistrime në fakultete përkatëse dhe kalimin e jashtëligjshëm të provimeve.

Dënimin më të lartë i kishte shqiptuar të akuzuarit Esat Belaj, i cili për tetë vepra penale që lidhen me marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, ishte dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Kemajl Gashi, për “ndihmë në ushtrim të ndikimit”, ishte dënua me 7 muaj burgim dhe 1500 euro gjobë.

Arian Janova, për “ushtrim të ndikimit”, ishte dënua më 8 muaj burgim. E për të njëjtën vepër penale, edhe Gazmend Maliqaj dhe Mevlydin Beqiri, iu ishte shqiptua dënimi me nga 8 muaj burgim dhe 5000 gjobë.

Leonard Bytyçi, për “ndihmë në marrje të ryshfetit”, gjykata i kishte shqiptuar 8 muaj burgim, ndërsa për të njëjtën vepër, Kushtrim Morinës 7 muaj burgim.

Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” lidhur me veprën penale “ushtrim i ndikimit”, ishte dënua me 7 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, ndërsa Muhamed Maliqi, për veprën penale ndihmë në “marrje të ryshfetit”, i ishte shqiptuar dënimi prej 8 muajsh burgim.

Me këtë aktgjykim, Albion Haxhijaha, për veprën penale “marrje ryshfeti”, ishte dënua me 8 muaj burgim.

E për “dhënie të ryshfetit”, ishin dënuan me nga 3 muaj burgim të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orllati.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012.Në përshkrimin e aktakuzës, veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar ishin Esat Belaj për veprat penale “marrja e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”. Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale “ushtrim i ndikimit”. Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” dhe “ushtrim i ndikimit”. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orrllati për “dhënie të ryshfetit”.