KOK-u: Vdekja e Vokrrit, lajm i kobshëm për sportin kosovar

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani ka ngushëlluar familjarët, futbolldashësit, dhe të gjithë sportistët për vdekjen e Fadil Vokrrit

Sport

09/06/2018 17:03

Në telegramin e ngushëllimit thuhet:

Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Fadil Vokrrit, kryetar i FFK-së dhe nënpresident i KOK-ut

Mëngjesi i 9 qershorit 2018 dha lajmi e kobshëm dhe pikëllues për sportin kosovar. Legjenda e të gjitha kohërave të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nuk është më në mesin tonë.

Njeriu që kishte merita të jashtëzakonshme për anëtarësimin e futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA, ndërroi jetë në mëngjesin e sotëm, në moshën 57-vjeçare, në kohën kur i duhej më së shumti Kosovës dhe sportit tonë.

Vdekja e Vokrrit, na ka prekur e pikëlluar të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të. Vokrri ishte figura më e shquar e futbollit tonë në vitet e arta të Prishtinës, duke u bërë idhull i çdo tifozi shqiptarë, por jo vetëm.

Është e vështirë të gjenden fjalë që përshkruajnë kontributin e njeriut me të cilin krenohej e gjithë Kosova në kohën kur luante dhe në kohën sa drejtoi futbollin kosovar. Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Fadili ia kushtoi një jetë, futbollit.

Nga viti 2012 Vokrri dha kontribut edhe në Lëvizjen Olimpike, duke u emëruar anëtar i Bordit Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në Asamblenë Zgjedhore. Katër vjet më vonë, në Asamblenë Zgjedhore të dhjetorit 2016, Vokrri u emërua nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Emri i madh i tij dhe e kaluara e tij vetëm sa e bënë edhe më të pasur Lëvizjen Olimpike në Kosovë. Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetë i përhershëm për ne, si një shembull i devotshmërisë dhe i angazhimit të palodhshëm në kuadër të ngritjes së futbollit të Kosovës në një nivel më të lartë.

Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, miqve, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë dashamirëve të sportit, për humbjen e një njeriu të madh dhe një krahu të fuqishëm të sportit të Kosovës.