Koha për vendime të zgjedhura

Kryeministri Thaçi lavdëroi subjektet politike për fushatë të qetë. Hoqi taksat me Luginën e Preshevës dhe kërkoi të nisin përgatitjet për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt. Kjo ishte mbledhja e Qeverisë, e mbajtur në javën e dytë të fushatës.

Lajme

11/10/2013 11:00

Në cilësinë e Kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, lavdëroi sot subjektet politike për mënyrën se si po e bëjnë fushatën për zgjedhjet vendore të 3 nëntorit.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Thaçi falënderoi pjesëmarrësit për, siç u shpreh, fushate të qetë, korrekte, konstruktive, të standardeve perëndimore, me një pjesëmarrje aktive dhe dinamike të qytetarëve të vendit.

“Këto janë zgjedhje për testin europian të Republikës së Kosovës, të politikës, të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Kryeministri Thaçi.

“Ajo që shihet në këto dhjetë ditët e para të fushatës, shihet se gjithë janë të zotuar për të punuar për komunën sa më afër qytetarit, për të punuar edhe më tepër për të ardhmen europiane të vendit, të standardeve perëndimore, për të punuar për një fushatë të mirëfilltë, për një fushatë me mesazhe më të mira të mundshme në interesin e të gjithë qytetarëve”.

“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se edhe kësaj radhe edhe në Veri do të marrin pjesë serbët, për çka i ftoj edhe sot përsëri që të angazhohen për pjesëmarrje në zgjedhje dhe integrimin e këtyre katër komunave në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, për të rreshtuar autoritetin dhe sovranitetin  në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Në këtë mbledhje të Qeverisë, Thaçi gjithashtu kërkoi nga Ministri i Arsimit, Ramë Buja, që menjëherë të nis përgatitjet për themelimin e Universitetit Publik në Ferizaj.

Të njëjtën gjë, Thaçi ua kishte premtuar dje qytetarëve të Ferizajt në një tubim parazgjedhor të PDK’së në këtë qytet.

Thaçi tha se Universiteti duhet të jetë gati për të nisur punën më 1 tetor të vitit 2014.

“I nderuari Ministër Buja, Ju ftoj që të filloni menjëherë që të punoni për themelimin e Këshillit Formues apo Themelues për Universitetin Publik të Ferizajt”.

“Kërkoj nga ju që ta bëni projektin dhe statutin e këtij universiteti si dhe ta diskutoni këtë çështje me Sekretarin e Qeverisë, në mënyrë që të përmbyllin të gjitha përgatitjet e duhura, në mënyrë që më 1 tetor  të vitit 2014 të nis punën Universiteti Publik i Ferizajt”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.

Universitetin Publik të Ferizajt, Thaçi e ka premtuar dje në Ferizaj, derisa PDK hapi fushatën në këtë qytet.

Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për heqjen e taksave për veturat që hyjnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Vendimi i Qeverisë për heqjen e taksës, vjen dy ditë pas takimit që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pati me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.