Koha e vrasjes së shpresës së madhe

Të gjithë ata që xhironin me kamerë fytyrat tona në atë kohë, ishin vënë nga sigurimi dhe natyrisht, u bënë anëtarë të PD-së më pas. Disa prej tyre u dekoruan për “demokracinë” nga doktor Berisha dhe sot qeshin me batutën e radhës: “Duhet me qen katnar i squt!” Ajo kohë për mua mbetet akoma vrasje e shpresës së madhe. Liria nuk falet, ajo fitohet me sakrifica dhe gjak! 

Opinion

10/12/2014 13:53

Një ditë pas rënies së Nikolla Çausheskut, po shkoja në punë te Kinostudio dhe po qëndroja në këmbë në fund të autobusit urban. Në stacionin e radhës, hipi në autobus Gramoz Pashko, të cilin e njihja jo thjesht si kolonjar në Tiranë, por sepse ishte një nga dishepujt e Petro Zhejit, dajës tim. Pasi më pyeti se si ishte Petro, më pëshpëriti në vesh: “Sonte e kam të fortë te “Zëri i Amerikës”, Dëgjoje!” “Në rregull”, ia ktheva unë dhe më pas më shtrëngoi dorën miqësisht dhe zbriti nga autobusi me një hap tepër entuziast. Në darkë, si zakonisht, ndeza radon për të dëgjuar “Zërin e të vërtetës”, siç e quanim ne në atë kohë “Zërin e Amerikës”. Filloi intervista dhe unë u përqendrova te fjalët e Gramoz Pashkos.

“Sistemit socialist shqiptar i ka ardhur fundi. Ai nuk mund të ristrukturohet, por duhet që të shkatërrohet totalisht”, tha Gramozi. Ato fjali, për kohën kur jetonim përbënin me të vërtetë një bombë. Menjëherë shkova t’i tregoja tim ati për bëmën e Pashkos në “Zërin e të vërtetës”. “Kujdes! – më tha, – Lëre Gramoz Pashkon, djalin e Josif Pashkos ta thotë atë gjë dhe mos e thuaj ti!”

Më vonë e kuptova qartë se im atë, njeri me eksperiencë shumë, kishte të drejtë në këshillën e tij. Pata rastin ta takoja plot herë të tjera Gramozin në ato kohë, përpara se të rrëzohej busti i Enver Hoxhës. Në një nga mitingjet e atëhershme ai thoshte: “Nuk do t’ua japim tokat pronarëve. Do ta mendojmë së bashku se si mund të gjejmë një mënyrë për të mos ua dhënë ato tokë”. Ky fjalim është edhe i filmuar.

Edhe pse antisistem, Gramozi vazhdonte ndërkohë të jetonte te një nga vilat që regjimi i Enver Hoxhës ua kishte marrë me forcën e armëve pronarëve dhe ua kishte dhënë funksionarëve të lartë të partisë. Një tjetër prej Kuajve të Trojës të 8 Dhjetorit ishte Neritan Ceka, i cili sot vazhdon të jetë akoma në detyrën e ambasadorit shqiptar në Itali. Kam qenë vetë prezent fizikisht në të gjitha evenimentet e atyre ditëve të “nxehta” të dhjetorit.

Ende e gjallë në memorien time mbetet dita kur Blloku ishte i rrethuar nga tanke ushtarake dhe një prej tyre ndodhej në bulevardin kryesor, pak a shumë tek ura afër hotel “Dajtit”. Përballë nesh ndodheshin gardistët, të cilët ishin vendosur në dy reshta, të ngjeshur sup më sup dhe të armatosur me automatikë kallashnikovë. Armët i kishin drejtuar nga ne dhe na shikonin kërcënueshëm. Ishin fshatarë që kishin pësuar shpëlarje të mirë truri dhe nuk e kishin për gjë që të hapnin zjarr nga çasti në çast. Megjithëse shumë prej nesh mundoheshin t’u bënin presion gardistëve, ata nuk tundeshin nga vendi.

Në ato momente tensioni maksimal, një person civil qëlloi me gur disa gardistë dhe më pas ia mbathi drejt hotel “Dajtit”. Gardistët që e ndoqën pas arritën ta kapnin dhe me pas verifikuan se ai ishte polic civil. Aty turma brohoriste më fort dhe ishte në kulmin e eksitimit të saj. Gardistët lëviznin shulet e kallashnikovëve, si për të trembur turmën, por kjo nuk donte t’ia dinte.

Turma ishte bërë gati për çdo sakrificë, për të thyer kordonin e gardistëve dhe për t’u futur në Bllok. Në atë moment, Kali i Trojës, i futur nga Ramiz Alia, Neritan Ceka, hipi mbi një automjet që ishte aty pranë dhe nisi të improvizonte si “lider”, duke e tërhequr turmën për nga sheshi “Skënderbej”. Turma ziente nga pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit që ishin veshur si civilë dhe që ndodheshin aty për të zbatuar skenarët e Ramiz Alisië. Për hir të së vërtetës, arritën që ta çonin turmën e irrituar te sheshi “Skënderbej”. Pra, Neritan Ceka, ky Kalë Troje u bë shpëtimtari i kokave të Bllokut dhe për këtë arsye u shpërblye.

Kam patur rastin të bisedoj me këtë Kalë Troje, kur isha duke u kthyer nga Parisi, në vitin 1994. Më kujtohen edhe sot pakënaqësitë dhe inatin që kishte Ceka në atë kohë me Berishën. Dukej e qartë etja e tij e madhe për pushtet personal. Rastësia e deshi që të isha prezent edhe në “Cafe du Commerce” në Paris, në vitin 1997 dhe të dëgjoja broçkullat e këtij komunisti antikomunist, që sot përfaqëson Shqipërinë në Itali. Të gjithë ata që xhironin me kamerë fytyrat tona në atë kohë, ishin vënë nga sigurimi dhe natyrisht, u bënë anëtarë të PD-së më pas. Disa prej tyre u dekoruan për “demokracinë” nga doktor Berisha dhe sot qeshin me batutën e radhës: “Duhet me qen katnar i squt!” Ajo kohë për mua mbetet akoma vrasje e shpresës së madhe. Liria nuk falet, ajo fitohet me sakrifica dhe gjak!

(Marrë nga Gazeta Shekulli)