Koeman ka një këshillë për De Ligt

Matthijs De Ligt është njëri nga qendër mbrojtësit më të kërkuar në Evropë.

Sport

12/11/2018 22:23

Anëtari i Ajax ka mrekulluar me paraqitjet e tij me Ajax dhe tashmë është në shënjestrën e gjigantëve evropian.

Megjithatë, duket se lojtari nuk është i kënaqur të luaj në “Eredevisie”, dhe arsye duket të jetë konkurrenca e ulët.

Pasi Ajax e mposhti Excelsior me rezultatin e thellë 7-1, De Ligt, për “Fox Sports” ka thënë: “Të jem i sinqertë, nuk luajtëm në maksimumin tonë, por fituam 7:1. Diferenca mes skuadrave në Eredivisie është e madhe”, transmeton lajmi.net.

Në anën tjetër, trajneri i kombëtares së Holandës, ka një këshillë për lojtarin e Ajax.

“Kam biseduar me Matthijs de Ligt për faktin se ai mendon që në Eredevisie nuk ka konkurrencë. Nuk e kam ditur se ka thënë kështu në konferencë, megjithatë mund ta besoj se ndihet ashtu” ishin fjalët e Koeman.

“Mendoj se është e qartë që një lojtar si De Ligt duhet të bëjë një hap më tutje. Të shkojë në një ligë tjetër më të fortë, të luaj në nivele tjera. Për fatin e keq, lojtarët largoheshin shumë më herët nga Holanda në kohën time” ka vazhduar trajneri.

Holanda ndërkohë po përgatitet për ndeshjet e Ligës së Kombeve që do t’i luaj ndaj Gjermanisë dhe Francës. /Lajmi.net/