Kodi telefonik, Austria ndihmon Kosovën

Zëvendëskryeministrja në detyrë e Qeverisë, EditaTahiri u takua të hënën me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Jan Kickert, i cili konfirmoi përkrahjen e shtetit të tij për marrjen e kodit telefonik për Kosovën dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian që ky proces të realizohet me sukses.

Lajme

07/07/2014 17:16

Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Austrisë dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit austriak për integrimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, ajo falënderoi Austrinë për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në marrjen e kodit ndërkombëtar telefonik pranë ITU-së, duke i njoftuar ata për progresin që është arritur në takimet e javës së fundit që zëvendëskryeministrja Tahiri ka zhvilluar me përfaqësuesit e BE-së në Bruksel.

Ambasadori Kickert u zotua se Austria do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat e jetës, duke konsideruar se marrëdhëniet bilaterale janë të nivelit të lartë, dhe theksoi se Austria do të vazhdojë të jetë aktive edhe për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Ai me këtë rast konfirmoi përkrahjen e Austrisë për marrjen e kodit telefonik për Kosovën dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian që ky proces të realizohet me sukses.