Kodi i ri penal në Shqipëri, kush ndërton pa leje shkon në burg
Të gjithë qytetarët që do të ndërtojnë një objekt pa leje në Shqipëri, do të dënohen me burg.
Lajme
Ditën e djeshme hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë, dhe është zëvendësuar me dënimin me burg. Me ndryshimet e reja është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private, ashtu dhe në atë shtetërore, duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet.
Gjithashtu është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet, ku përfshihen edhe sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve. Ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të cilat i referohen ndërtimeve të paligjshme parashikojnë që ndërtimet pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim të konsiderohen një vepër penale dhe të dënohen me burg nga 1-5 vjet.
Në pika të veçanta ligji parashikon që nëse kjo vepër penale kryhet në tokën publike, shtetërore apo të tjetrit dënohet me burg nga 1-5 vjet. Ndërsa në rastet kur ndërtimi sjell pasoja të rënda apo kryhet për qëllime fitimi dënimi varion nga 3-5 vjet.
Ligji parashikon penalizime edhe për kompanitë të cilat do të jenë pjesë e ndërtimeve pa leje, çka do të thotë se kushdo që kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrje apo zbatim punimesh do të dënohen me 3 vjet burg. Deri më tani parandalimi i ndërtimeve pa leje penalizohej vetëm me gjoba, por nga sot, qytetarët duhet t’i mendojnë seriozisht pasojat.