Kocijançiq replikon me gazetaren e ABC News: Nuk mbajta anë (video)

Zëdhënësja e Përfaqësues së Lartë të BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq, vazhdon t’i qëndrojë prapa deklaratës së saj me anë të cilës e mbështetë autoritetet serbe për organizimin e ndeshjes së futbollit, Serbi-Shqipëri.

Lajme

16/10/2014 18:11

Ka qenë korrespondentja e kanalit ABC News nga Brukselit, Erisa Zykaj, ajo që e ka pyetur Kocijançiq dhe ka replikuar me të, lidhur me këtë deklaratë, gjatë një konference në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel.

Lexoni të plotë përgjigjet e Maja Kocijançiq dhe reagimet e gazetares Eris Zykaj:

Zykaj: Si mund të konsideroni ju një menaxhim profesional të situatës, ku tifozët shqiptarë nuk u lejuan të merrnin pjesë në këtë ndeshje, koret serbe ulërisnin: “Vrisni dhe prisni shqiptarët”, sende të forta dhe fishekzjarrë u hodhën mbi futbollistët shqiptarë shumë kohë përpara mbërritjes së dronit, huligani Ivan Bogdanovic, i cili shkaktoi dhe anulimin e ndeshjes Itali Serbi në 2010-ën, u pa në fushë, kur futbollistët shqiptarë ishin subjekt i dhunës jo vetëm nga tifozët serbë por dhe nga forcat serbe të sigurisë. Si mund ta konsideroni ju këtë, “një menaxhim profesional” të situatës, kjo është pyetja?

Kocijançiq: Mendoj se ju keni humbur mesazhin kryesor të deklaratës së djeshme, me faktin i cili kishte të bënte se stadiumet nuk duhet të jenë pjesë e provokimeve politike. Në këtë aspekt, mesazhi ishte shumë i qartë dhe unë gjithashtu theksova se kemi nevojë për bashkëpunim rajonal si dhe mirëpresim vizitën e kryeministrit e Shqipërisë, Edi Rama në Beograd. Mendoj se ky ishte mesazhi kryesor. Kështu që të ftoj të fokusohesh në atë që ishte mesazhi kryesor.

Zykaj: Unë nuk jam e vetmja që e kam humbur këtë mesazh, sepse edhe Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë. Një ditë më parë kryeministri Rama, deklaroi se homologu i tij serb nuk po i përgjigjej në telefon dhe Rama nuk e dinte nëse do të shkonte ende në Beograd. Më vjen keq, por dua të them se kjo që e thatë ju nuk është fare në kompetencën tuaj, pse duhej që ju të përziheni në kompetenca të UEFA-s, pse u shprehët në atë mënyrë një dit më parë?

Kocijançiq: Unë u pyeta për diçka dhe u përgjigja. E përsërita edhe njëherë mesazhin kryesor dhe vazhdoj të mbrojë këtë mesazh, pasi që kjo është gjëja më e rëndësishme dhe vërtetë që ju duhet të fokusoheni në mesazhin kryesor dhe mendoj se unë e bërë këtë gjë shumë të qartë.

Zykaj: Si prisni që të keni një bashkëpunim rajonal, kur mesazhi juaj anon vetëm nga njëra anë. Ju mund të rreheni, të vriteni, nuk ka problem, mjafton që jeni shqiptarë, mjafton që serbët nuk janë lënduar dhe çdo gjë është në rregull?

Kocijançiq: Unë e kam thënë shumë qartë se jemi të zhgënjyer me atë që ndodhi dhe theksova se politika mund të përçohet nëpërmjet stadiumeve dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë që ka kjo për politikat evropiane dhe mirëpres vizitën e planifikuar të Edi Ramës në Beograd.

Ju e dini shumë mirë se çfarë mbështetë Bashkimi Evropian, ajo që po bëjmë ne nuk do të ndryshojë dhe e përsëris edhe njëherë se ai ishte mesazhi i saktë.