Kocijançiç: Në dialog për të zbatuar marrëveshjet!

Nesër në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë pjesëmarrës edhe Kryeministri Isa Mustafa.

Lajme

26/01/2016 17:27

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Frederica Mogherinit, përfaqësueses së BE-së për politikë të jashtme e Siguri, konfirmoi për Lajmi.net se ndër të tjera, palët do të flasin dhe për zbatim të marrëveshjeve.

Përfundimisht  nesër në Bruksel, në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, pjesëmarrës do të  jetë edhe Kryeministri Isa Mustafa, raporton Lajmi.net.

Dialogu me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, do të vazhdojë, përkundër deklarimeve të mëhershme të zyrtarëve kosovarë se Kryeministri Mustafa mund ta bojkotojë dialogun për shkak të mos liberalizimit të vizave për kosovarët nga ana e Komisionit Evropian.

Praninë e kryeministrit Mustafa nesër në Bruksel, në vazhdimin e dialogut me Vuçiqin, të ndërmjetësuar nga Frederica Mogherini, e konfirmon për Lajmi.net edhe zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiç.

“Në takim të dy palët do të ndërmarrin veprime për zbatimin e  marrëveshjeve ekzistuese”, tha Kocijançiç për Lajmi.net

Ajo nuk dha përgjigje nëse palët do të flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, apo se cilat mund të jenë çështjet tjera për të cilat pritet të diskutohet.

“Do të diskutojnë që të qojmë përpara dialogun”, tha Kocijançiç, pa precizuar ndonjë temë të caktuar për të cilin do të flitet në këtë takim.

Sidoqoftë, mediat serbe kanë raportuar se ndër temat që pritet të diskutohet është edhe ajo e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, ndërkohë që marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave është thënë se do të fillojë së zbatuari me 1 mars. /Lajmi.net