Koci: Albini me shokë t’i edukojë përkrahësit, mos të sillen si kafshë

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duhet t’i edukojë përkrahësit e tij që mos të funksionojnë “sikur robotë e kafshë”.

Lajme

09/12/2017 19:43

Këtë Koci e ka ndërlidhur me reagimet e ashpra dhe linçuese të simpatizantëve të VV-së drejtuar deputetes së kësaj partie, Aida Dërguti, e cila në një mesazh telefonik Kurtit ju kishte referuar me shprehjen fyese “m**”.

“Sulmet ndaj Aidës, nga armata e indoktrinuar në ideologji, besoj që më së shumti e dëmtojnë Albinin: nuk është profet dhe nuk është njeri i mbërrimë. Prandaj, kërkimfalja besoj që mjafton – për neve, publikun. Neve që nuk jemi me VV. E sa për vet VV – le t’i zgjedhin problemet e veta partiake – pa na ngarkuar neve të tjerëve”, shkruan Koci, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë:

Një shkollë për armatën që linçojnë

Nuk e përkrahi VV:

As frymën, as idenë e as veprimet. Fakti që nuk i përkrahi, nuk do të thotë që nuk duhet të ekzistojë një parti e tillë. Përkundrazi! VV si parti i duhet skenës tonë politike.

Sidoqoftë, VV e identifikoi me Albinin – dostin tim e të vëllaut tim – Arbërit! E njoh një kohë të gjatë dhe thjesht, i besoj si intelektual e si patriot. Nuk i besoj metodave të tija. Madje, jam kundër!

Nëse dikush, më pëlqen në VV, pas Albinit – është Aida dhe Glauku. Natyrisht, Puhien e kam pasë favorit, dhe i mungon shumë skenës tonë politike.

Po kthehem te aktualiteti: Si është shprehur Aida – nuk është në rregull. Por, gjithë ne kemi momente të dobëta. Gjithë ne jemi shprehur ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme – sidomos për shefat. Por, mos harroni se fyerja që Aida i ka bërë Albinit s’është bash asgjë në raport me atë që kemi dëgjuar e dëgjojmë për çdo ditë. Fjala e përdorur nga Aida është shumë më e lehtë se epiteti kriminel, haraçmbledhës, zagar e vrasës.

Shumëherë, i kemi ra pishman pse kemi përdorë shprehje të tilla. Por, mos të moralizojmë. Nuk është fundi i botës. Sulmet ndaj Aidës, nga armata e indoktrinuar në ideologji, besoj që më së shumti e dëmtojnë Albinin: nuk është profet dhe nuk është njeri i mbërrimë. Prandaj, kërkimfalja besoj që mjafton – për neve, publikun. Neve që nuk jemi me VV. E sa për vet VV – le t’i zgjedhin problemet e veta partiake – pa na ngarkuar neve të tjerëve.

I mbetet Albin Kurtit me shokë të nisë edukimin e përkrahësve të tij dhe të Vetëvendosjes. Të mos funksionojnë sikur robotë e kafshë. Të pranojnë edhe mendimin ndryshe edhe nëse është kundër Zotit të tyre, Babës së tyre, Liderit të tyre.