Koalicionin VV-AAK, PDK e Prishtinës e quan koalicion haraçi

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë me tone të ashpra ka vlerësuar koalicionin qeverisës të Vetëvendosjes me AAK-në në Prishtinë.

Lajme

15/03/2016 12:54

Përmes një komunikate për medie, kjo degë këtë koalicion e quan zgjerim të aktivitetit kriminal të kreut të komunës së Prishtinës.

Ky është reagimi i Degës së PDK-së në Prishtinë:

Shpend Ahmeti pas vjedhjes së zgjedhjeve në vitin 2013 për të qenë i pari i kryeqytetit sot, gjithnjë e më tepër po e zgjeron aktivitetin kriminal në Prishtinë. Ai përngjan në çdo gjë tjetër, pos jo në kryetar.

Sot Shpendi është rrënuesi numër një i Prishtinës, kryetar që dëmton pronën private dhe atë publike në demonstrata të dhunshme. Me dëshirë ose imponim nga partia e tij, ai sot ka instaluar një mekanizëm të rrezikshëm kriminal në çdo pore të komunës së Prishtinës. Shpendi e ka shndërruar komunën, në vend të ofrimit të shërbimit për qytetarë, në seli krimi ekonomik dhe shtab dhune. Kundër shtetit të Kosovës.

Edhe lidhja e juaj e re me partinë e haraçit, sipas jush, nuk do t’iu ndihmojë për mbijetesë politike dhe përfitime kriminale ekonomike, përfundon komunikata e Degës së PDK-së në Prishtinë.