“Koalicioni me LSDM-në dhe mos-unifikimi i opozitës shqiptare, ndikoi në fitoren e BDI-së”

Fitoren e BDI-së në zgjedhjet lokale, profesori universitar dhe historiani shqiptar nga Maqedonia, Nuri Behxheti po e vlerëson si rezultat të koalicionit me LSDM-në, dhe dështimit të unifikimit të opozitës shqiptare.

Lajme

16/10/2017 12:58

Behxheti ka deklaruar për lajmi.net se ndërrimi i partnerit të koalicionit maqedonas, pra kalimi nga VMRO te LSDM ka bërë që Bashkimi Demokratik për Integrim të rikorporohet.

“Tash bëhen gati 1 vit që ishin zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni në taborin maqedon pati barazim të votave, por vota shqiptare luajti një rol të rëndësishëm te LSDM-ja në raport me VMRO-në. Prishja e koalicionit të madh shumëvjeçar ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së dhe lidhja e koalicionit e BDI-së me një partner tjetër maqedon ia mundësoi të rikorporohet gati një vit. BDI-ja arriti ta rikorporojë votën. Edhe për një arsye tjetër që opozita shqiptare si në zgjedhjet e përgjithshme ashtu edhe në zgjedhjet lokale nuk ka arritur të bashkohet përballë BDI-së prandaj këta të fundit po arrijnë nga fitorja në fitore”, ka thënë profesori shqiptar nga Maqedonia.

Nuri Behxheti 

Behxheti e ka komentuar edhe pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në këto zgjedhjet. Ai ka thënë se ky subjekt pa ndihmën e partive tjera shqiptare në komunat ku e ka arritur balotazhin, nuk do të mund të shkaktojë befasi.

Ai parashikon se Besa e Bilall Kasamit nuk do të mund ta fitojë ndonjë komunë të madhe.

“Besa është njëra nga partitë e pakta në Maqedoni që kur është futur në garë e ka kaluar pragun, përjashtuar BDI-së që ka dalur nga lufta dhe hyri furishëm. Besa megjithatë është në balotazh në Tetovë, Çair, Saraj dhe disa komuna tjera është faktor ende, por a do t’ia del mbetet të shihet. Është Besa pa ndihmën e partive tjera shqiptare opozitare nuk mund të fitojë. Mos-ngritja e një platforme të përbashkët parazgjedhore krijon këto situata ku favoriti i parë është vështirë të mundet. BDI e ka fituar Kërçovën me të parën dhe ka hyrë në balotazh në Strugë ku e rrezikon Selën. Unë mendoj se ende është në lojë Besa por nuk ka arritur sukses sa ka trumbetuar, dhe sidomos kampanja mediatike apo portalet që kanë pasur shkrime nuk janë përkthyer në votë. Ndonëse ka hyrë furishëm në zgjedhje, unë nuk besoj se do të fitoj qytete të mëdha”, deklaroi profesori Behxheti.

I pyetur se a mund të ketë përmbysje të rezultateve në disa komuna shqiptare, ai theksoi se këtu vjen në pyetje vota maqedonase.

Sipas tij, Lëvizja Besa në këtë rast nuk mund të fitojë në Çair pa ndihmën e VMRO-së.

Ai vlerëson se gara më interesante do të jetë në Strugë, ku BDI-ja mund ta rrezikojë fitoren e Selës.

“Besa pa ndihmën e VMRO-së në disa qytete e ka të vështirë të fitojë komuna si Çairi. Në shumë vende pa ndihmën e votës maqedone nuk mund të ketë fitore, edhe pse mund të jetë simbolike është vendimtare. Më interesante është Struga, te Sela i cili është promovuar si njëri nga patriotët më serioz ai tani me votën joshqiptare mund ta rrezikojë humbjen. Shoh një kthim të fuqishëm të BDI-së jo si meritë e saj për ndryshimet, por për mosunifikim të opozitës shqiptare”, përfundoi profesori dhe historiani shqiptar, Nuri Behxheti.

Ndryshe zgjedhjet lokale në Maqedoni janë zhvilluar dje, ku LSDM-ja ka dalë fitues absolut.

Kurse, BDI-ja vazhdon të kryesojë në shumicën e komunave shqiptare. /Lajmi.net/