Koalicionet e Dreshajt në Istog, Rugova: Edhe në dy raundet e para kanë qenë bashkë

Para rivotimit të 17 dhjetorit në komunën e Istogut, kandidati i AAK-së për kryetar, Gani Dreshaj ka bërë të ditur se ka arritur dy marrëveshje për koalicione, me PDK-në dhe Vetëvendosjen.

Lajme

10/12/2017 13:00

“Bashkë me PDK-në, Vetëvendosjen dhe listën e Arif Elshanit ne do të arrijmë fitore bindëse në zgjedhjet e 17 dhjetorit”, ka shkruar dje Dreshaj në një postim në rrjetin social facebook.

Por pavarësisht këtyre koalicioneve, i bindur në fitore po shprehet edhe kundërkandidati i Dreshajt, Haki Rugova.

Rugova në një prononcim për lajmi.net  ka thënë se këto parti kanë qenë bashkë edhe në raundin e parë dhe të dytin.

“Ata kanë bërë koalicione qashtu të paktën po i shoh nëpër media, nuk e di në çfarë nivele dhe qysh i kanë bërë nuk e kom të qartë. Jam shumë i vetëdijshëm që edhe në raundin e parë dhe të dytin kanë qenë bashkë”, ka deklaruar kryetari aktual i Istogut.

Në zgjedhjet e balotazhit, LDK-ja në Istog ka pasur mbi 52%, kurse Rugova po thotë se kjo përqindje në rivotim do të jetë edhe më e lartë.

Sipas tij, pa “votat e korruptuara dhe të manipuluara”, LDK-ja ka dalur fituese e zgjedhjeve.

“Ata kanë pasur edhe më herët marrëveshje, dhe prap kemi dalur fitues. Natyrisht tu mos i marrë parasysh votat e manipuluara e korruptuara. Tash domethënë rezultati jonë ka qenë 52% dhe pres përqindje edhe më të lartë”, u shpreh Rugova për lajmi.net

Tutje ai ka bërë të ditur se i ka ofruar koalicion partive të tjera në Istog, por ato ende nuk e kanë lajmëruar zyrtarisht.

“Ju kom ofru koalicion edhe subjekteve tjera, dhe ata zyrtarisht nuk më kanë lajmëruar”, përfundoi Haki Rugova.

Ndryshe vendimi për rivotim në Istog erdhi pasi PZAP konfirmoi se votat me kusht dhe me postë kanë qenë të dyshuara për manipulim.

Vendimi për rivotim u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme, edhe pse të dyja partitë ishin kundër.

LDK-ja dëshironte që të anuloheshin votat me kusht e me postë dhe fitoren ta merrte Rugova, e në anën tjetër Dreshaj u ankua pasi pretendonte se votat me kusht dhe me postë kanë qenë në rregull.

Rivotimi në Istog do të bëhet më 17 dhjetor. /Lajmi.net/