Koalicion i natyrshëm dhe në të mirën e vendit

Numri dy i partisë Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, thotë se koalicioni LDK-AAK-Nisma, është në interes të Kosovës. Ai thotë i bindur se Hashim Thaçi kësaj here nuk do të arrijë të bëhet kryeministër, pavarësisht se partia e tij PDK ka arritur të dal fituese e zgjedhjeve. 

Lajme

13/06/2014 23:17

Ish sekretari i PDK-së, në një intervistë në “Argument Plus” në RTV 21, thotë se marrëveshja e grupimit opozitar nuk është antikushtetuese, dhe se meritat kryesore për arritjen e saj ja atribuon LDK-së. 

Ai përveç se e konsideron të natyrshëm koalicionin, thotë se ai është edhe në të mirë të vendit. 

“Jam i bindur se ky koalicion do ta bëjë një program dhe një politikë për ta ndryshuar gjendjen në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë. Do ta ketë një qasje tjetër ndaj sundimit të ligjit, qasje tjetër ndaj zhvillimit ekonomik, dhe do të krijojë hapësirë dhe mundësi të funksionimit të institucioneve të pavarura të vendit”.