KMDLNJ porosit deputetët ta votojnë Avokatin e Popullit

Për ta zgjedhur Avokatin e Popullit, KMDLNJ ka kërkuar konsensus politik ndërmjet partive politike pasi që, sipas Këshillit, në mënyrën si është përcaktuar tani kjo nuk mund të bëhet pa këtë konsensus.

Lajme

12/03/2014 14:28

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Avokatin e Popullit, pikë e cila është në rendin e ditës së Kuvendit për seancën e nesërme.

Në një deklaratë të Këshillit thuhet se në mesin e kandidatëve të përzgjedhur, ka kandidatë që i plotësojnë kriteret për ta marrë këtë pozitë.

Më herët është raportuar se nga 26 aplikantë për këtë pozitë, paneli i deputetëve ka përzgjedhur emrat e Gjyljeta Mushkolajt, Hilmi Jasharit dhe Adrijana Hodzicit për t’i sjellë në Kuvend për votim.

Për ta zgjedhur Avokatin e Popullit, KMDLNJ ka kërkuar konsensus politik ndërmjet partive politike pasi që, sipas Këshillit, në mënyrën si është përcaktuar tani kjo nuk mund të bëhet pa këtë konsensus.

“Duke marrë parasysh se zgjedhja e Avokatit të Popullit më parë ka qenë një proces i mundimshëm dhe i stërzgjatur, KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në numër të nevojshëm dhe të votojnë në mënyrë që Avokati i Popullit të zgjidhet në afatet e parapara me ligj dhe të mos përsëritet stërzgjatja e procesit”.

“Prania e deputetëve dhe votimi i tyre në bazë të ndërgjegjes së tyre apo të një marrëveshjeje eventuale politike do të kontribuojë në stabilizimin dhe forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

KMDLNj ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga një panel i përbërë nga deputetë të Kuvendit.

“KMDLNJ vlerëson se në mesin e të përzgjedhurve ka kandidatë që i plotësojnë të gjitha kushtet për Avokat të Popullit dhe nuk sheh arsye që të mos votohet njëri nga kandidatët e propozuar”.

“KMDLNJ thërret partitë politike që të mos pengojnë zgjedhjen e Avokatit të Popullit aq më parë që kandidatët e përzgjedhur nuk kanë asnjë agjendë politike apo që mund të konsiderohen se do ta mbrojnë interesin e njërës apo tjetrës parti politike”, thuhet në deklaratë.

Postin e Avokatit të Popullit, për dy mandate e ka mbajtur Sami Kurteshi.