KMDLNj: Parashkrimi i veprave penale dhe dënimeve, mundësi e artë për lulëzimin e krimit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur me parashkrimin e veprave penale dhe dënimeve, duke marrë si shembull rastin e ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Lajme

20/06/2018 12:42

Sipas KMDLNj-së, gjykatat në Kosovë nuk po marrin masat e duhura ndaj të dënuarve, në mënyrë që të parandalojnë ikjen e tyre nga drejtësia.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të KMDLNj-së:

Kohë më parë është kthyer në Kosovë ish – kryetari i Kaçanikut , Xhabir Zharku , i dënuar me një dënim prej 3 viteve burg për shkak të një vepre penale që konsiderohet si e rëndë dhe që paraqet rrezik për siguri të shoqërisë dhe shtetit . Ky dënim kishte marrë plotfuqishmërinë pas së cilave , nëse në një afat të paraparë me ligj , i dënuari nuk shkon në vuajtje të dënimit sipas ftesës së organeve të autorizuara , atëherë është dashur të bëhet ekzekutimi i detyrueshëm e i cili nuk ishte bërë.

Gjithashtu , edhe Leme Xhema , e dënuar për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte udhëheqëse e PTK –ës , pas plotfuqishmërisë së dënimit dhe pa mundësi shtesë të ankimimit , iku nga vuajta e dënimit duke u strehuar në një komunë të Serbisë ku , gjithashtu , duke u bërë zyrtare e shtetit të Serbisë gëzoi mbrojtje deri sa i fitoi “ të drejtat “ të kthehet në Kosovë , pa i hyrë një ferrë në këmbë dhe kthimin e saj e përcolli me muzikë në qendër të Prishtinës , sikur të festohej përvjetori i pavarësisë së Kosovës dhe jo kthimi i një të dënuare për një vepër penale që ka abuzuar me paratë e qytetarëve dhe e ka dëmtuar shtetin.

Xhabir Zharku e kishte më lehtë duke pasur nënshtetësi suedeze dhe , si i tillë ishte përfitues i beneficioneve të shtetit suedez ndonëse ishte dënuar në Kosovë për aktivitete kriminale. Sipas deklaratave të dënuarit Zharku motivi i kthimit të tij në Kosovë ishte dëshmimi i pafajësisë dhe dëshira e tij për ta zhvilluar Kosovën e që lirisht mund të llogaritet si krim i dytë apo përqeshje me ligjin. Ka edhe shumë raste të tjera kur të dënuarit i janë shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur nga Kosova deri në kohën e parashkrimit absolut të dënimit për t’u kthyer pastaj , thuaja si heronj. Meqë këta nuk janë persona publikë , as opinioni nuk është fort i interesuar për rastet e tyre.

Sipas ligjeve në fuqi , të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe të huajt që kanë qëndrim të lejuar në Kosovë duhet të trajtohen pa dallime dhe pa diskriminime para gjykatave , qoftë gjatë procesit gjyqësorë , gjatë gjitha fazave të ankimimit sikur edhe gjatë vuajtjes së dënimit , me burg efektiv apo dënime tjera alternative.

Gjykatat e Kosovës po bëjnë gabim kur nuk po marrin masa sigurie ndaj të dënuarve , shtetas të huaj apo që kanë dyshtetësi , që nuk po ua konfiskojnë dokumentet e udhëtimit dhe në këtë mënyrë do ta parandalonin ikjen e tyre nga drejtësi për krimet e bëra kur ato të vërtetohen me një vendim të prerë të gjykatës kompetente prandaj , do të kemi raste edhe në të ardhmen sikur të Leme Xhemes dhe Xhabir Zharkut dhe të tjerëve e që, në fakt është inkurajim për krimin dhe kriminelët duke e instaluar në këtë mënyrë mos ndëshkueshmërinë si standard moral , njerëzorë dhe ligjorë për persona të pamoralshëm , kriminelë dhe shkelës të ligjit.

Shteti , me ligjet në fuqi , me dënimin e shqiptuar apo ndonjë mase tjetër nuk e ka për qëllim t’i hakmerret kryerësit të veprës por të parandalojë krime në të ardhmen duke u dërguar porosi të qartë të gjithë atyre që mendojnë të kryejnë krime apo planifikojnë veprime kriminale. Zbatimi i standardeve të dyfishta e që në masë të madhe ka qenë shenjë identifikuese e “ drejtësisë “ ndërkombëtare në Kosovë është bërë trashëgimi e keqe edhe për gjyqësorin vendorë dhe kjo , përjashtuar ndikimet politike , më së shumti e dëmton dhe diskrediton zbatimin e ligjit dhe fuqinë e shtetit të së drejtës.

Nëse shteti i Kosovës nuk ka mundësi të eliminojë edhe në të ardhmen rastet sikur Xhema , Zharku dhe të tjerët atëherë , përmes ndryshimeve të ligjeve mund ta ulë në masë të madhe këtë dukuri. Në të ardhmen , në kuadër të dënimit duhet të shqiptohen edhe masat që sigurojnë se i dënuar do ta vuaj dënimin për veprën e kryer , qoftë duke ia konfiskuar dokumentet e udhëtimit , në rast se ka rrezik për ikje nga dënimi nuk duhet të lirohet deri në plotfuqishmërinë e vendimit për dënim apo duhet të vendoset në një masë ku është i mbikëqyrur gjatë tërë kohës përmes kontrollit të lëvizjeve me unaza elektronike që detyrohet t’i bartë , deri në një vendim tjetër.

Si masë tjetër mund të jetë edhe zgjatja e kohës së parashkrimit të dënimit . Le ta marrim rastin Zharku. Nëse për shqiptimin e dënimit prej 3 viteve burg i duhet të kalojë dyfishin e kohës për vjetërsim atëherë , me një ndryshim të ligjit mund dhe duhet që kjo masë të dyfishohet e që nënkupton që për rastin në fjalë koha e vjetërsimit të zgjatet në 12 vite.

Nëse edhe këto masa nuk tregohen si të mjaftueshme atëherë , si masë e skajshme mund t’i ndalohet hyrja në Kosovë në një periudhë të caktuar kohore apo marrja e shtetësisë apo leje qëndrimit , kuptohet me një vendim gjykate dhe pas shterjes së të gjitha mundësive të ankimimit. Kështu veprojnë shumë shtete në botë pavarësisht se me zhvillim të demokracisë janë shekuj e shekuj para nesh.

Mosndëshkueshmëria , si standard i pranuar nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin përmes pranimit të vjetërsimit së veprës penale dhe dënimit , në një shoqëri me një transicion të stërzgjatur , me një brishtësi të theksuar nga ndikimet politike dhe statusi shoqërorë , krijon klimë optimale për lulëzim të gjitha llojeve të krimit dhe shëndoshje të kriminelëve sikur që skajshmërisht diskriminon duke e bërë të pakuptim parimin se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit duke i legalizuar muskujt kriminelë , të imunizuar nga politika.

Mos të flasim këtu për mbrojtje të drejtave të njeriut që domosdoshmërish mbrohen me zbatimin e drejtë të ligjeve , në radhë të parë për viktimën pastaj edhe për kryerësin e krimit !/Lajmi.net/