KMDLNJ mbështet protestat kundër shtrenjtimit të rrymës

Sipas KMDLNJ’së, pas shtrenjtimit eventual të rrymës pashmangshëm do të ketë shprehje të pakënaqësisë të qytetarëve “e cila do të jetë plotësisht e arsyeshme”. Shtrenjtimi i rrymës, sipas KMDLNj, rëndon buxhetin e qytetarëve.

Lajme

25/02/2014 14:20

Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave dhe Lirive të Njeriut i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike që të mos e miratojë kërkesën e KEDS për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga prilli i këtij viti.

Në kohën kur kjo çështje është bërë temë shqetësimi për opinionin, KMDLNJ thotë se nëse ZRRE mraton kërkesën e KEDS, atëherë shtrenjtimi i rrymës do ta rëndojë edhe më shumë buxhetin, edhe ashtu të rrezikuar të qytetarëve të Kosovës.

KMDLNj thotë se pas shtrenjtimit eventual të rrymës pashmangshëm do të ketë shprehje të pakënaqësisë të qytetarëve “e cila do të jetë plotësisht e arsyeshme”.

“KMDLNj do të përkrah çdo protestë të natyrës sociale e cila është e pandikuar nga politika dhe e cila është në mbrojtje të interesit të qytetarit”.

“Me shtrenjtimin aktual të rrymës dhe me kamatat kriminale të bankave po pamundësohet forcimi ekonomik i Kosovës përmes krijimit të lehtësirave për biznesin dhe po sillen në buzë të mjerimit të skajshëm dhe të padurueshëm pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës. Andaj, ZRRE duhet t’i ketë parasysh këto fakte dhe të mos kontribuojë në përshkallëzimin e situatës”, thuhet në deklaratën e KMDLNJ.