KMDLNj i kërkon Thaçit ta publikojë listën e të dënuarve që i ka falur

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që ta publikojë listën e të dënuarve që i ka falur.

Lajme

26/04/2017 12:29

Këtë kërkesë KMDLNj e kanë bërë përmes një letre të hapurm transmeton lajmi.net

Kjo është letra e plotë:

I nderuari President Thaçi,

Sipas informatave të KMDLNj – së për faljen e Presidentit kanë aplikuar më shumë se 700 të dënuar. Të gjitha këto kërkesa janë shqyrtuar nga komisioni ad hoc që Ju e keni formuar dhe që sipas informatave të KMDLNj – së e ka përfunduar punën duke ua dorëzuar listën me emrat e të dënuarve që sipas vlerësimit të komisionit ad hoc e meritojnë të falen mirëpo Ju, sipas kompetencave që iu jep Ligji mund t’i falni të gjithë nga lista e propozuar nga komisioni ad hoc sikur që mund të mos e falni asnjë të dënuar që ka kërkuar falje. Në rastin konkret, Ju, z. President e keni fjalën e fundit sikur që edhe vendimi përfundimtar është i Juaj , përkatësisht vullnetit Tuaj.

Për informim të opinionit, KMDLNj nuk është pjesë e komisionit ad hoc prandaj edhe nuk është në gjendje t’u jap një informatë të saktë të dënuarve që kanë kërkuar falje, familjarëve të të dënuarve, mbrojtësve e as të tjerëve që kërkojnë informata nga KMDLNj.

KMDLNj, në rastin konkret ka dalë në anën e të dënuarve duke kërkuar të falet një numër më i madh se viteve paraprake në rast se i plotësojnë kushtet për falje aq më parë që faljet e mëparshme kanë qenë më shumë provokim i situatës së sigurisë në burgje që kanë ndikuar në tensionimin e situatës se sa një demostrim i vullnetit dhe mëshirës së Presidentit t’i lirojë ata që e meritojnë gjë që do të reflektonte në motivimin e të burgosurve të sillen mirë duke e pranuar programin e risocializimit.

KMDLNj , këtë vit duke kërkuar më shumë falje për të dënuarit ka dal edhe në anën e Shërbimit Korrektues të Kosovës sepse oficerët e shërbimit korrektues të Kosovës, administrata dhe menaxhmenti përballen të parët me paknaqësitë e shprehura nga të dënuarit kur ata nuk përfitojnë apo u bëhet e padrejtë sikur që e kanë më lehtë nëse të dënuarit stimulohen përmes faljeve, fitimit të beneficioneve dhe lehtësimeve tjera që u takojnë me ligj. Në rast të mos trajtimit të personave të privuar nga liria në përputhje me ligjin dhe të drejtat e njeriut, Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka vështirë ta mbajë nën kontrollë situatën e sigurisë në institucionet e privimit nga liria.

KMDLNj tëheq vërejtjen, sikur edhe në raportin vjetor të monitorimit të institucioneve ku mbahen të privuarit nga liria, për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues të personave të privuar nga liria në baza politike, statusit shoqëror, gjendjes ekonomike, përkatësisë etnike dhe bindjeve fetare.

I nderuari President Thaçi,

KMDLNj kërkon që sa më parë ta bëni publike listën e personave që i keni falur (nëse i keni falur) në mënyrë që të mos i leni në pritje dhe ankth të dënuarit që kanë kërkuar të falur nga Ju, familjarët e tyre sikur edhe opinionin i cili duhet të informohet për vendimin e Juaj për falje apo mos falje.

Mosbërja publike e listës së atyre që eventualisht i keni falur e tensionon situatën brenda institucioneve ku mbahen ata që kanë kërkuar falje sikur që në masë të madhe e vështirëson punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës që në rastin konkret nuk mbanë asnjë përgjegjësi por se mund të përballet me shumë probleme!/Lajmi.net/