KMDLNJ fton Prokurorinë t’i hetojë faturat e fryra

KLMDNJ thotë se kategoritë sociale po e pësojnë më së shumti nga faturat e fryra të KEDS’it. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të bëjë hetime për rastet ku shuma në faturë është dhjetëfishuar.

Lajme

10/01/2014 12:21

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë se humbësit më të mëdhenj të faturave të fryra nga KEDS’i muajve të fundit janë kategoritë sociale në vend.

Fryrja e faturave e cila po ndodhë kryesisht në llogaritjen e tarifave dimërore po shkakton konfuzion mbase të qëllimshëm.

Duke kundërshtuar shkyçjet nga rrjeti për qytetarët që ankohen për fatura të fryra derisa vendimi të bëhet i formës së prerë, KMDLNJ i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës të bëjë hetime për rastet ku shuma në faturë është dhjetëfishuar dhe kur ato raste janë të përsëritura.

Sipas këtij këshilli, po krijohet një plaçkitje flagrante që po u bëhet qytetarëve gjatë faturimit për rrymën e shpenzuar e cila nuk është në përputhje me shpenzimet reale.

“Nga fryrja e faturave e pësojnë më së shumti kategoritë sociale të cilat nuk po janë në gjendje t’i përballojnë këto fatura ndërsa po kursehen shpenzuesit e mëdhenj si Feronikeli dhe të tjerët që po kursehen, në dëm të konsumatorëve të varfëruar”.

Arsyetimet e KEDS’it se nuk ka fryrje të faturave por se rryma humbë për shkak të rrjetit elektrik të vjetruar, ngritjes së çmimit gjatë muajve të dimrit nuk janë të qëndrueshme, ngase fryrja e faturave ka filluar të bëhet rregull, sipas këtyre.

Ky këshill konsideron se është momenti i fundit për të ndërmarr veprime në lidhje me vendosjen e rendit të KEDS, për të mos vazhduar me rëndim ekonomik mbi qytetarët.

“Konsiderojmë se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës, përkatësisht Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të ndërmarr veprime të menjëhershme për vendosjen e rendit në KEDS duke pamundësuar që KEDS, përmes plaçkitjes së vazhdueshme që u bënë qytetarëve të Kosovës të rrezikojë edhe më shumë gjendjen e tyre ekonomike e cila edhe ashtu është shumë e rëndë”.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm që tarifat dimërore të llogariten në afatin 6 mujor si dhe kërkojmë të bëhet një çmim i njëjtë për të gjithë shpenzuesit e energjisë elektrike pavarësisht se a janë konsumues të mëdhenj apo të vegjël. Faturat duhet të jenë të thjeshta dhe më të kuptueshme për qytetarë”.

“Fryrja e faturave e që vazhdimit po përsëriten nuk mund të llogariten thjesht si gabim. Ky fenomen e tejkalon interesimin e OJQ’ve ngase bëhet rast kur duhet të veprojnë institucionet shtetërore në mënyrë të vendosura”, thonë ata.

KLMDNJ, në reagimet e mëparshme që i ka drejtuar te përgjegjësit e KEDS’it ka ofruar fakte ku për të njëjtin konsumator shuma e faturës është dymbëdhjetëfishuar. Nga shuma e muajit nëntor që ka qenë 300 euro për muajin dhjetor është bërë 3,680 euro.