Klubi në gjendje të vështirë financiare, trajneri “paguan” nga xhepi lojtarët

Trajneri spanjoll Huan Karlos Garrido ka futur dorën në portofol për të ndihmuar futbollistët e tij.

Sport

20/09/2017 20:39

48-vjeçari, i cili ka stërvitur edhe Vijarealin, Klub Bruzhin, Betisin e Al Ahlin, nga korriku ka marrë drejtimin e Razha Kazablankës, në Marok, skuadër që sezonin e kaluar e mbylli e treta kampionatin.

Aktualisht, klubi po vuan probleme ekonomike, duke qenë se futbollistët kanë muaj që nuk marrin rrogë dhe tani kanë nisur të kërcënojnë se nuk do të stërviten më, protestë e nisur që nga gushti.

Por siç nënvizon “Marca”, Garrido ka vendosur që të shuajë këtë protestë duke i dhënë hua parà disa prej lojtarëve: 3000 dihram (thuajse 270 euro) kongolezit Lema Mabibi (mesfushori 24 vjeç) dhe 1000 dihram (thuajse 90 euro) Samson Mbinguit, mesfushori 25-vjeçar i Kombëtares së Gabonit.