Klubi i Superligës reagon pas derbit: Gjyqtari ishte skandaloz

Feronikeli ka reaguar ndaj gjyqtarëve pas humbjes nga Drita.

Sport

30/04/2018 15:55

Përmes një njoftimi për shtyp, klubi nga Drenasi e quan tendencioz gjykimin e Tefik Malokut dje, përcjellë “Lajmi.net”.

Më poshtë e keni njoftimin e plotë nga Nikli.

“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes dhe ndikimin që do të kishte fitorja, ne jemi mobilizuar me të gjitha kapacitetet dhe lojtarët ishin më të motivuar se kurrë që fitoren ta sillnin në qytet.

Mbi këtë parim edhe nisi loja, ku Feronikeli luftoi më të gjitha forcat që të dilte me bilanc pozitiv nga kjo ndeshje, gjë që edhe solli golin e parë, por mbi të gjitha, një lojë cilësore dhe një ekip kompakt e që vepronte si tërësi.

Rezultati dhe motivimi i lojtarëve ndryshoi me akordimin e penaltisë për Dritën, gjë e cila vihet në dyshim dhe mendojmë se ishte një vendim i gabuar dhe një gabim i qëllimshëm i gjyqtarit Maloku.
Një referim i tillë nuk i bën dëm vetëm Feronikelit, por e vë në pikëpyetje edhe seriozitetin dhe paanshmërinë e gjyqtarëve dhe të garës, andaj ne si klub jemi thellësisht të indinjuar me dëmin që po i bëhet klubit tonë, sidomos duke e pasur parasysh që gjëra të tilla po përsëriten.

Të gjithë kundërshtarët e dinë forcën dhe lojën e bukur që e luajnë lojtarët tanë, por të njëjtit po penalizohen në mënyrë të vazhdueshme nga referimi skandaloz, dhe njëkohësisht, duke e vënë Feronikelin në rankim aspak të favorshëm dhe aq më pak të merituar në tabelë.

Megjithatë, ne do të vazhdojmë luftën deri në fund të garës dhe do t’i mbledhim forcat, duke i kthyer të gjitha padrejtësitë në forcë, për ta kthyer klubin aty ku e meriton dhe ku e ka vendin”.