Klosi: Organizimi ushtarak i LDK-së sillej rrugëve të Tiranës

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, Fatos Klosi, ka folur për luftën e fundit në Kosovë nga perspektiva e Republikës së Shqipërisë. Të parin nga UÇK-ja kishte takuar Xhavit Halitin, ndërsa ka kritikuar organizimin ushtarak të LDK-së.

Lajme

24/04/2015 23:15

Për këta të fundit madje ka thënë se silleshin rrugëve të Tiranës teksa s’pranonin të hynin në luftë me serbët për disa arsye.

“E kam parë që krahu i Berishës ka pasur marrëdhënie me LDK-në. Kam kontaktuar me të dy palët, dhe pasi filloj lufta tentova disa herë t’i jap ndihmën e shtetit shqiptar për t’u futur në Kosovë e për të marrë pjesë në luftë”.

“Unë kam fol me udhëheqës të atyre, ata as që kishin në plan të merrnin pjesë në luftë, ata mendonin se profesionalisht ishin shumë më të përgatitur se UÇK-ja, kishin para më shumë, prandaj pretendonin se duhej pritur se këta e njihnin ushtrinë jugosllave dhe s’ishte lehtë të luftohej me ta”, ka thënë Klosi.

Për ish-kryeministrin e ish-presidentin shqiptar, Sali Berishën, ish-shefi i SHIK-ut ka thënë se ai është takuar me serbët në kohën sa ishte president (‘92-‘97), por larg syve të opinionit.

“Berisha nuk kërkonte të kishte detyrën e zakonshme të presidentit, por kërkonte detyrë me më shumë fuqi, që të udhëhiqte edhe Qeverinë. Ai kishte filluar shenjat e një autoritarizmi de facto. Nuk them diktator se nuk ishte koha, por president autoritar”.

“Berisha ka pasur takime me serbët gjatë kohës sa ishte president jashtë syve të opinionit. Ai vetëm nacionalist nuk është, nacionalist i kamoflimit është. Nacionalizmi është strofka e fundit e gjithë horrave, më falni që po përdor këtë. Berisha nuk ka qenë kurrë nacionalist!”, ka thënë Klosi duke shtuar se Berisha ishte ai që kishte thyer embargon me Serbinë duke lejuar importimin e naftës nga ta.

“Rruga ku Serbia furnizionte Shqipërinë përmes liqenit të Shkodrës”, ka shtuar ai.