Kllokoti në krizë financiare, kërkon ndihmën e Qeverisë

Komuna e Kllokotit kërkon mjete shtesë nga buxheti i Kosovës për të larë borxhet e trashëguara prej rreth 300 mijë eurove. Komuna e Kllokotit tashmë ka formuar një komision dhe ka kërkuar ndihmë nga MAPL dhe Gjykata.

Lajme

19/02/2014 20:15

Autoritetet e reja të qeverisë komunale të Kllokotit do t’i drejtohen gjykatës për të sqaruar të gjitha dyshimet për keqpërdorime që janë bërë gjatë udhëheqjes së kaluar.

Borxhet e mëdha që ka trashëguar kjo komunë, kanë diktuar situatën që Komuna të formojë një komision, i cili është duke bërë vlerësimin e gjendjes në të cilën është gjetur Komuna në kohën kur është instaluar udhëheqja e re komunale, raporton rajonipress.

Nebojsa Vesic, zyrtar i Komunës së Kllokotit, ka thënë se me instalimin e udhëheqjes së re komunale, në komunë janë gjetur fatura pa mbulesë dhe keqpërdorime, prandaj është vendosur që të formohet një komision i cili do të bëjë prerjen e gjendjes në komunë nga udhëheqja e kaluar në këtë të tashmen.

”Sipas vlerësimeve të para Komuna ka trashëguar një borxh prej rreth 300 mijë eurove që kur janë të evidentuara shumë fatura pa asnjë mbulesë si dhe kemi trashëguar një gjendje ku Komuna nuk ka mjete financiare në buxhetin e saj, dhe për këtë i kemi parashtruar një kërkesë Ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, që të na ndihmojë, sepse Komuna nuk mund të funksionojë në këtë gjendje si është sot”,ka thënë Vesic.

Sipas tij faturat e papaguara të komunës arrijnë shumën prej 285.607 euro.

“Buxheti Komunal i Kllokotit për vjet ishte në shumën prej 990 mijë eurosh, ku për paga dhe mëditje ishin shpenzuar 543 mijë euro, për shërbime dhe mallra 103 mijë euro, për shërbime komunale 9 mijë euro, subvencione 5 mijë si dhe 208 mijë euro. E komuna e Kllokotit ka arritur të arkëtojë të hyra vetjake në shumë prej 97 mijë eurove apo për 22 mijë euro më shumë seç kishte planifikuar“ tha për rajonipress Zyrtari për Informim, Aziz Zuka.