“Klithma e një nëne të marrë” vjen në Prishtinë

Dramaturgu i njohur nga Shqipëria, Odise Plaku, në një bashkëpunim me artistë nga Kosova, së shpejti do të zbres në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me një nga veprat e tij.

ShowBiz

20/05/2015 16:53

Në një prononcim të shkurtër për lajmi.net, dramaturgu Odise Plaku, ka thënë se përgatitja për të vënë në skenë monodramën “Klithma e një nëne të marrë”, në Prishtinë, është një ngjarje e veçantë në jetën e tij krijuese.

Dramaturgu plaku ka thënë se pret me padurim të shoh mishërimin e kësaj vepre në lojën e një tjetër aktoreje dhe të një koncepti të ri regjisorial.

Autori i një sërë veprash, njëherësh edhe fitues i disa çmimeve letrare,  ka thënë se prej kohësh ka ëndërruar një bashkëpunim të tillë, dhe se tashmë është shumë afër realizmit të tij.

Provat për përgatitjen e vënies në skenë të kësaj vepre tashmë janë duke u zhvilluar dhe pas pak javësh artdashësit në Prishtinë do të kenë mundësinë ta ndjekin monodramën “Klithma e një nëne të marrë”, dhe të japin pastaj vlerësimin e tyre.

“Bëhet fjalë për një nga krijimet e mia më të dashura të fushës së dramës, pasi është vepra me të cilën unë kam nisur rrugën time si krijues”, ka thënë Plaku.

Aktorja që do të luan melodramën “Klithma e një nëne të marrë” është  Teuta Sadiku. Ndërsa regjia realizohet nga një tjetër emër i njohur i skenës, Mentor Zymberaj.

“Duke marrë shumë mendime dhe opinione nga miqtë e mi, mendova se Teuta ishte kandidatura më e mirë për të përcjellë këtë tekst, sepse kur aktorët e humorit futen në botën e dramës, shpërthejnë”, ka thënë Plaku.

Ndërsa regjia e melodramës do të realizohet nga një tjetër emër i njohur i skenës, Mentor Zymberaj, i cili sipas dramaturgut Plaku, do të arrijë të sjellë në skenë konceptin e tij më të mirë regjisorial.

Skenografia është marrë përsipër të realizohet nga Zeni Ballazhi, lindur në Kërçovë të Maqedonisë, autori dhe fituesi i logos së 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

“Kështu krijohet një trekëndësh artistik Shqipëri–Kosovë–Maqedoni, që për mua merr një kuptim të veçantë dhe jam i bindur se do të funksionojë bukur dhe do të sjellë rezultate shumë të mira në drejtim të realizmit të kësaj vepre”.

Edhe pse me shumë probleme financiare, të gjithë artistët janë të gatshëm të sjellin para publikut të Kosovës këtë vepër. Ka pasur një mbështetje minimale nga komuna e Prishtinës, që gjithsesi e falënderoj.

Subjekt i kësaj vepre dramatike është një nënë, e cila kërkon pa fund vajzën e saj, që e kanë rrëmbyer dhe trafikuar. Një dramë e rëndë, që ka prekur shumë familje jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por dhe në shumë vende të tjera të rajonit. Ndërsa përpjekjet e nënës për të gjetur vajzën, për të mësuar më shumë rreth fatit të saj, sa vijnë e bëhen më të forta, të pareshtura, derisa… /lajmi.net/

Odise plaku (majtas) e aktorët e shfaqjes se monodramës "Amaneti", në skenën e teatrit "Petro Marko" në qytetin e Vlorës
Odise plaku (majtas) e aktorët e shfaqjes se monodramës “Amaneti”, në skenën e teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës