Kjo është skema që përdorën autorët për vrasjen e Dalipajt e Dautit

Ervin Dalipaj, ish-shefi i sektorit të krimit ekonomik në Tiranë ka mundur ti fshihet hasmëve të tij dhe drejtësisë vetëm për 16 muaj, pasi dje ai është qëlluar me rreth 50 plumba automatiku, duke u lënë i vdekur brenda një automjeti luksoz.

Lajme

26/04/2017 08:14

Ish-oficeri i policisë që prej janarit 2016 ka qenë në kërkim policor si i dyshuar për vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës, por që Dalipaj se ka pranuar kurrë.

Por atë që nuk arriti ta bëjë policia, që të zbulonte dhe arrestonte Dalipaj, e kanë bërë anëtarët e një grupi tjetër rivalë të Dalipaj në Durrës, të cilët kanë identifikuar banesën ku ai strehohej në fshatin Sukth të Durrësit dhe pikërisht në këtë zonë ata kanë vendosur të kryejnë dhe ekzekutimin. Së bashku me Ervin Dalipaj në automjetin luksoz “AudiS8” udhëtonte dhe shtetasi Juxhin ose Xhulio Dauti nga Vlora.

Rezulton se ky i fundit në muajin Mars 2012 ka qëlluar me armë zjarri ish-kampionin kombëtar të Bilardos, shtetasin Fatos Bani. Për këtë krim Dauti është arrestuar nga policia dhe është dënuar nga gjykata e shkallës së parë Vlorë, por më pas ka qenë gjykata e Apelit të këtij qyteti që ka vendosur pafajësi për Dautin.

Ky i fundit është liruar nga gjykata në vitin 2015, ndërkohë që gjatë kësaj kohe ishte transferuar me banim nga Vlora në Durrës, pas i ndruhej një hakmarrje të mundshme të anëtarëve të familjes Bani.

Policia tha se të dy viktimat si Dalipaj dhe Dauti, kanë qenë në hasmëri për shkak të krimeve që ishin implikuar. Nisur nga kjo situatë deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia dhe prokuroria e Durrësit, nuk kanë qënë në gjëndje të përcaktojnë nëse autorët kanë pasur si objektiv të hakmereshin vetëm ndaj Ervin Dalipaj apo ndaj Xhulio Dautin.

Sipas policisë të dy viktimat nuk e prisnin se do të qëlloheshin. Madje për koiçidencë vrasja e Dalipaj është bërë pikërisht në ditën kur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, zhvillohej procesi gjyqësor kundër tij, për akuzën e “Rrëmbimit, torturimit dhe më pas vrasjen” e shtetasit Gazmend Çollaku.Pritet që në ditët në vijim akuzat kundër tij të pushohet nga prokuroria.

Autorët e këtij krimi kanë qenë të përsosur si në gjuajtje por edhe në marrjen e informacionit, mbi vendndodhjen e Ervin Dalipaj dhe Xhulio Dautit. Sipas policisë, autorët e krimit kanë qëndruar në ruajtje të banesës ku qëndronin dy personat.

Pasi ata kanë dalë nga banesa dhe hipur në automjetin luksoz, autorët i janë vënë nga pas. Burime policore thanë se fillimisht besohet se autoret i kanë parakaluar, për ti prerë rrugën duke ulur shpejtësinë, por menjëherë Ervin Dalipaj që ndodhej në drejtimin e mjetit luksoz, ka parakaluar automjetin e zi.

Teksa është vënë paralelisht me të në rrugën dytësore të autostradës, prej makinës me ngjyrë të zezë kanë ardhur breshëri të gjata kallashnikovi, duke ekzekutuar Ervin Dalipaj dhe shukun e tij, shtetasin Juxhin Dauti.

Autorët mendohet se kanë qëlluar rreth dy karikatorë automatiku, ndërsa viktimat janë mbushur plot me plumba. Dy personat në makinë kanë humbur jetën menjëherë, ndërkohë mjeti ka dalë nga rruga kryesore duke u përplasu në kanalin buzë autostradës, dhe pas një rrotullimi ka mbetur në trashenë e rrugës.

Gjatë ekspertizës mjeko-ligjore, në murgun e qytetit të Durrësit u hoqen 12 plumba nga trupi i ish-efektivit të policisë Ervin Dalipaj. Për këtë vrasje të dyfishtë policia e Durrësit ende nuk ka bërë shoqërimin e autorëve të krimit.

Njeriu që ka makinën “Audi 8s”

Automjeti tip “Audi 8s” me targa “AA 111 OI” që u bë shoshë nga plumbat e kallashnikovit, nuk i përkiste ish-oficerit të policisë Ervin Dalipaj, por një personi tjetër.

Burime policore thanë se automjeti është në pronësi të shtetasit E.Hoxha, person ky që njihet për mbajtjen e makinave luksoze dhe të blinduar në vend.

Shpesh here tek E.Hoxha, ka marrë me qira makina të blinduar edhe qeveria shqiptare, në rastet kur është dashur shoqërimi i delegacioneve të huaja. Mësohet se automjeti luksoz i sekuestruar tashmë si provë materiale, ishte marrë me qira nga Dalipaj tek shtetasi E.Hoxha.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë ai, ku gjatë marrjes në pyetje nga policia e Durrësit, ai ka pohuar se automjetin ja kishte lëshuar me qira një personi tjetër, por nuk dinte se makina përdorej nga i kërkuari nga drejtësia Shqiptare, shtetasi Ervin Dalipaj. Sipas policisë, E.Hoxha, një vit më parë i kishte dhënë me qira dhe një automjet tip fuoristradë të blinduar, shtetasit tashmë të vrarë, Elton Çiçës, shkruan Shqiptarja.com.

Ky i fundit nga frika e hakmarrjes dhe rënies në një atentat me armë, kishte marrë masa, duke u siguruar me një automjet të blinduar. Por në fakt vrasësit e qëlluan pikërisht ambientet e një lokali në zonën e ish-bllokut dhe jo kur ndodhej brenda në makinë.

Ndryshe nga fuoristrada e Çiços që ishte e blinduar, Dalipaj lëvizte ditën dhe natën, nga një “Audi8s” që nuk ishte i blinduar. Plumbat e kallashnikovit e kanë shpuar të gjithë kabinën e automjetit duke i marrë jetën dy personave që ndodheshin në të, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti.