Kjo është receta e bakllavës së ‘shpejtë’ që ju duhet për këtë Bajram

Përbërësit: * 2 vezë të plota e 3 të verdha vezësh, * 1 gotë vaj e 1 qumësht, * afro 600 gr miell të situr dhe të përzier me1 pluhur paste, * 700 gr niseshte, * 1/2 kg arra të grimcuara ose të bluara, * 1/2 kg gjalpë. Sherbeti: * 2 kg sheqer, * 1…

Lifestyle

22/09/2015 16:01

Përbërësit:

* 2 vezë të plota e 3 të verdha vezësh,
* 1 gotë vaj e 1 qumësht,
* afro 600 gr miell të situr dhe të përzier me1 pluhur paste,
* 700 gr niseshte,
* 1/2 kg arra të grimcuara ose të bluara,
* 1/2 kg gjalpë.

Sherbeti:

* 2 kg sheqer,
* 1 lit ujë,
* lëngu i ½ limonit,
* 1 sheqer vanileje.

Përgatitja:

Tunden vezët me pirun, shtohet vaji dhe qumështi. Në masën e përzier mirë, shtohet mielli pak nga pak dhe zihet një brumë i butë. Brumi ndahet në 10 pjesë, e pastaj nga çdo pjesë bëhen nga 5 toptha, gjithsej 50 toptha. Çdo topth hapet sa një pjatë e vogël dhe duke e përmillur me niseshte vehen nga 5 petë njëra mbi tjetrën. Pesë petët e bashkuara hapen dhe hollohen duke i përmillur me niseshte, në një petë të hollë dhe të madhe. Njëlloj veprohet me tërë masën e brumit. Nëse dëshirohet bakllava me petë të radhitura, atëherë petët e holluara vihen në tepsi njëra mbi tjetrën,duke i spërkatur me nga një lugë yndyrë. Pasi të hollohen dhe palosen në tepsi gjysma e petëve, vihen arrat dhe shtrihen nga të gjitha anët njëlloj. Hollohen edhe gjysma e petëve të tjera në të njëjtën mënyrë dhe vihen mbi arra. Pritet në formë delimash.

Nëse dëshirohet bakllava me petë të mbështjella në role, atëherë pasi të hollohet peta me 5 kuleç, paloset gjer në gjysmë nga të dyja anët, poshtë dhe lartë. I hidhen arrat në mes në formë shiriti dhe mbështillet sikurse roladë, duke e palosur pjesën e lartë përmbi. Bakllava pritet në delima madhësish të dëshiruara dhe me lugë i hidhet gjalpi i shkrirë. Futet në furrë të nxehtë me temperaturë 170 gradë C për t’u pjekur dalëngadalë për 11/2 orë ose edhe më tepër. Nëse bakllava skuqet mbi që në fillim, ajo mbulohet me letër dhe pjekja vazhdon gjersa të skuqen petët edhe brenda.

Sherbeti: Vlohet uji me sheqer,shtohet ½ limoni i grimcuar dhe lëngu i gjysmë limonit si dhe 1 sheqer vaniljeje. Pasi të largohet sherbeti nga zjarri, shtohet një gotë çaji ujë i ftohtë dhe me sherbet të valë, përvëlohet bakllava e ftohur. Mbulohet gjersa ta pijë sherbetin.

Variant për mbushje: 1 kg vishnje të pastruara nga bërthamat sheqerosen pak dhe në shirit vendosen në vend të arrave. Mund t’i hidhen pak arra të bluara, në mënyrë që ato ta thithin lëngun e vishnjeve. Gatuhet dhe piqet në të njëjtën mënyrë sikurse bakllava me arra.

Marrë nga: Fikrie Gagica – Ukelli
Autore e librit “1000 receta për çdo familje”.