Kjo është puna ime

Isa Mustafa tha sot se Komuna e Prishtinës gjatë këtij mandati i ka trajtuar 250 mijë lëndë dhe i ka lëshuar 660 mijë dokumente të gjendjes civile. Këto shifra, sipas tij, tregojnë për një punë shumë të madhe e cila është kryer në Komunën e Prishtinës.

Lajme

20/10/2013 13:42

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, prezantoi në një konferencë shtypi, të mbajtur në shtabin zgjedhor të kësaj partie, punën e tij si Kryetar i Prishtinës.

Ai tha se Komuna e Prishtinës gjatë këtij mandati i ka trajtuar 250 mijë lëndë dhe i ka lëshuar 660 mijë dokumente, që u vlerësua si sukses nga ana e tij.

“Vetëm në trevjetorin e shkuar, si rezultat i reformave në administratën komunale, decentralizmit dhe digjitalizimit, është arritur që të trajtohen 250 mijë lëndë të fushave të ndryshme dhe janë lëshuar 660 mijë dokumente të gjendjes civile”.

“Këto shifra tregojnë për një punë shumë të madhe e cila është kryer në Komunën e Prishtinës”.

Sipas tij, gjatë katër vjetëve të shkuar është zhvilluar ndjeshëm teknologjia informative, e cila do të mundësojë, së shpejti, edhe digjitalizimin e lëshimit të dokumenteve për qytetarët.

Mustafa tha se planifikon që të themelojë Institutin për Planifikim, i cili do të merret kryesisht me planifikimin urban dhe hapësinor të Prishtinës.

“Kjo do të mundësojë bartjen e shërbimeve civile nga komuna nëpër distrikte, në mënyrë që të decentralizohet lëshimi i dokumenteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët, pastaj digjitalizimi i shërbime online, digjitalizimi i  kontrollit të trafikut në qytet, ndriçimi i qytetit, si dhe mbikëqyrja e linjave urbane”.

“Do ta themelojmë Zyrën Qendrore për Promovimin e Investimeve dhe të Turizmit, do t’i digjitalizojmë të dhënat e kadastrit dhe të pronës, në të gjitha pjesët e Prishtinës do të themelojmë pika informative, do ta shtojmë numrin e ekspertëve të urbanizimit, pronës dhe kadastrit”.

“Të punësuarit e rinj do të jenë më shumë femra, më shumë të rinj dhe me arsimim të lartë, do ta fuqizojmë Drejtorinë e Pronës, Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Ekonomisë, si pjese të politikave zhvillimore në të ardhmen”.

Njëri nga prioritet e administratës së drejtuar nga LDK, Mustafa tha se  do të jetë zhvillimi ekonomik, nxitja e investimeve të vogla dhe të mesme, pastaj do t’i kushtohet më shumë rëndësi pronës dhe zgjidhjes së problemeve pronësore, me të cilat ballafaqohet komuna, si dhe kontrollit të inspekcionit, për shkak se Ligji mbi Ndërtimet parasheh punë shumë më të madhe krahasuar me periudhën e deritanishme.

“Do të përfshijmë më shumë të rinj dhe të reja në krye të drejtorive komunale dhe në krye të shërbime të ndryshme të komunë. Nga të hyrat vetanake do t’i rrisim pagat e punonjësve të administratës komunale, sepse ato janë më të vogla se ato të institucioneve, si dhe do të angazhohemi në dhënien e rregullt të bursave”.

Komuna e Prishtinës aktualisht ka 738 shërbyes civilë të punësuar, prej të cilëve 34 për qind janë femra.

Mustafa tha se gjatë këtyre katër vjetëve është përmirësuar struktura e të punësuarve, sepse 34 për qind e shërbyesve civilë aktualisht janë me arsimim të lartë, nga vetëm 24 për qind sa kanë qenë më tani.

“Në tre vjetët e fundit në Komunën e Prishtinës janë pranuar 116 punonjës të rinj, prej të cilëve 76 për qind janë me arsimim të lartë, ndërsa 24 për qind janë me arsimim të mesëm. Nga të punësuarit e rinj, struktura gjinore është pothuajse një me një, femra dhe meshkuj”.