Kjo është ligjërata e Ramiz Lladrovcit në Universitetin e Gracit

Në fund të vizitës së tij në Austri, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mbajti një fjalim para studentëve dhe profesorëve në Universitetin e Gracit.

Lajme

14/09/2017 10:04

Pas ligjëratës, Lladrovci bashkëbisedoi me studentë dhe profesorë nga Kosova në sallën e ligjëratave në Universitetin e Gracit.

Ky është fjalimi i plotë i Lladrovcit në Universitetin e Gracit:

Të nderuar studentë, profesorë, aktivistë e veteranë,

Më lejoni të shprehë kënaqësinë që jam bashkë me juve, për të bashkëbiseduar.

E di, se si është të jesh larg atdheut.

E kam provuar, me familjen time, vëllain tim dhe kunatën. Ashtu sikur Ju, e kam kuptuar se Kosova mundet pa mua, por unë, nuk kam mundur pa Kosovën.

Ju, me arsimimin Tuaj, do të keni edhe më shumë nevojë për vendin ngase, e hetoni thirrjen e tokës Tuaj që ta bëni sa më të përparuar, më frytdhënëse.

Me rrugë më të mira, çerdhe më të mira, mësues e profesor më të mirë, inxhinier e arkitekt më të mirë, këtë rrahje të zemrës suaj, duhet ta ndjeni apo tashmë e keni ndjerë.

Andaj, në mesin Tuaj, është shpirti i vendit Tuaj, thirrja për ta bërë Drenasin dhe komunat tjera të Kosovës, ashtu, sikur Graci, ku merrni përvojat më të mira, mësimet më të mira dhe synimet tuaja fisnike për atdheun Tonë.

Të bashkëbisedoj me studentë është përherë ndjesi e veçantë, por unë jam i lumtur që jam sot me juve, për faktin se ju jeni pasqyra më e mirë e vendit prej nga vini, jeni ambasadorët më të mirë të Kosovës, të kombit shqiptar.

Ju duhet të mos e harroni se sa e gjatë dhe e mundimshme ka qenë rruga jonë drejtë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Të nderuar studentë,

Me ndërrimin e rrethanave, ndërrojnë edhe sfidat, dhe ne tani kemi sfidë forcimin dhe konsolidimin e Kosovës, dhe të institucioneve sa më të mira.

Në këtë drejtim ne po punojmë që Komuna e Drenasit të udhëhiqet nga parimi i sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.

Po ashtu kam ofruar shembullin se si udhëhiqet Komuna me 50 % gra udhëheqëse të drejtorive komunale, u kam dhënë hapësirë kuadrove të reja, dua të them se jam i kënaqur me punën, përkushtimin dhe rezultatet e deritashme dhe shpresoj që ky model qeverisës do të vazhdohet edhe në të ardhmen në Komunën e Drenasit dhe do të merret shembull nga komunat tjera.

Zbatimi në plotëni i ligjit është sfida kryesore e Komunës së Drenasit dhe e Kosovës, ne e kemi kuptuar mirë këtë gjë, dhe po punojmë fuqishëm në këtë drejtim.

Po ashtu është rritë efikasiteti i Komunës tonë në drejtim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Komunës që udhëheq.

Sfida e ndërtimit të vendit është obligim i të gjithë neve, Komuna jonë ka nevojë për juve, Kosova ka nevojë për juve dhe përvojën Tuaj.

Dyert e komunës së Drenasit, besoj fuqishëm edhe të Kosovës do të jenë të hapura për juve, ne kemi nevojë për profesionalizmin tuaj, dijen Tuaj, edukatën dhe arsimin që keni marrë këtu.

Besoj, se edhe ju jeni krenar me paraardhësit tuaj student këtu, po përmendi vetëm Eqrem Çabejn i cili, iu kthye atdheut dhe njihet si gjuhëtari më i madh dhe dijetari më i shquar për albanologjinë. Shkolla austriake e kaliti në shkencëtar të vërtetë.

Të nderuar,

Po flas pak për Drenasin!

Ne, në Drenas po ndërtojmë parkun e ri të biznesit prej 62 hektarësh, mirëpresim investitorë, ju jeni lidhja e parë me ata.

Ne kemi nevojë për shumëçka, mbrojtje të ambientit, për ujitjen e tokave, për prodhimet vendore të bujqësisë organike aq të çmuara këtu.

Ju presim që të gjitha këto t’i bëni në vendin Tuaj. Ju ftoj të vini në Drenas dhe të shihni potencialin tonë.

Më shumë se kurrë, kemi nevojë për shkencën, për dijen dhe eksperiencën Tuaj.

Jeni të mirëseardhur në Drenas, sepse na duhet zhvillimi me mundësitë e djemve dhe vajzave tona që marrin shkollime të shkëlqyera, si këtu në Grac.

Ju jeni pjesë e suksesit të lirisë sonë, ju jeni burimi më i rëndësishëm i zhvillimit tonë dhe shpresës për të tashmen dhe të ardhmen.

Faleminderit për vëmendje.