Kjo është historia e personave të vetëm që u dënuan me burg të përjetshëm në Kosovë

Çdokush që kryen vrasje ordinere, politike, terrorizëm ose tradhton vendin, pranon okupim dhe kapitullimin e Republikës, dënohet me burgim të përjetshëm. Kështu u dënuan edhe dy shtetas të Kosovës në 2015’ën, pasi kishin vrarë në formën më mizore një boshnjak në Vushtrri. Por, çka thotë Kodi Penal për vepra të tilla?

Lajme

26/04/2018 17:40

Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti janë dy shtetasit e Kosovës që janë dënuar me burg të përjetshëm nga shkalla e parë, në vitin 2015.

Nuk ishin vetëm këta dy tashmë të dënuar që kryen këtë vepër penale. Bashkë me Krasniqin dhe Mehmetin, ishte edhe e mitura F.C, e cila gjithashtu u shpall përgjegjëse dhe u dënua me 9 vjet e 10 muaj, shkruan Gazeta Express.

Te vendi i quajtur Buxhak i fshatit Strofc të Vushtrrisë, Krasniqi e Mehmeti kishin ngulfatur me rrip të pantallonave Melvin Ajdinoviqin, e më pastaj e kishin goditur me gurë në kokë. Por, për t’u siguruar se e vranë, trupin e tij e hodhën në një bunar, duke e lënë aty për disa ditë, e më pastaj e nxorën dhe e varrosën pranë bunarit.

Kjo vrasje ka ndodhur më 12 tetor 2014, rreth orës 20:30, në fshatin Strofc të Vushtrrisë.

Në këtë natë e mitura F.C. ishte marrë vesh me të akuzuarit Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti që në bashkëveprim e me dashje ta privojnë nga jeta Melvin Ajdinoviqin për motiv të përfitimit të dobisë pasurore. Për këtë qëllim ata ishin takuar në një kafiteri në Obiliq ku gjatë drenimit kishin bërë plane për t’ia marrë të hollat dhe për ta vrarë Ajdinoviqin.

Aktakuza thoshte se te rrethi në Obiliq, e mitura F.C. ishte takuar me Ajdinoviqin, duke i propozuar atij një shëtitje me taksi. Si taksist i rremë në këtë rast të dyve iu ishte paraqitur tash i dënuari Emin Krasniqi me makinën e tij të tipit “Golf 2”.

Kur të tre kishin hipur në makinë, ishin nisur drejt fshatit Zhilivodë të Vushtrrisë, ku për ta luajtur si duhet rolin e taksistit, Krasniqi ishte ndalur për ta marrë një udhëtar tjetër, tash të dënuarin Astrit Mehmeti. Të katërtit vazhduan rrugën drejt fshatit Strofc të Vushtrrisë ku edhe e kryen vrasjen e boshnjakut, Ajdinoviq.

Gazeta Express ka kërkuar statistikë rreth burgimeve të përjetshme në Kosovë deri më tani, por doli të jetë vetëm ky rast.

Gjykata e Apelit në vitin 2016, kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i dënoi përjetësisht Emin Krasniqin dhe Astrit Mehmetin, duke konsideruar se dënimi i përjetshëm për ta është i ashpër.

Shkalla e dytë kishte vendosur që Emin Krasniqin ta dënojë me 25 vjet burg dhe Astrit Mehmetin me 22 vjet burg. Kurse, për të miturën, F.C. dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë, mbeti i pa ndryshuar.

“Gjykata e Apelit konsideron se dënimi me burgim të përjetshëm është i ashpër pasi që të akuzuarit janë të moshës relativisht të re, më parë të pa gjykuar, të gjendjes së dobët ekonomike, kanë të kryer vetëm shkollën fillore, që tregon nivelin e tyre të kuptuarit të vlerave të shoqërisë, e po ashtu njëri nga ta është penduar për veprën e kryer”, thuhej në njoftimin e Apelit, për ndryshimin e dënimit me burg të përjetshëm për dy të akuzuarit, Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti.

Por, dënimi me burg të përjetshëm, në bazë të Kodit Penal, nuk mund t’u shqiptohet personave që janë nën moshën 21-vjeçare ose personave që gjatë kryerjes së veprës penale kanë pasur aftësi esencialisht të zvogëluar mendore.

Kushdo që nënshkruan apo pranon kapitullimin ose miraton okupimin e Republikës së Kosovës apo ndonjë pjese të saj, dënohet me së paku dhjetë vjet burg, ose me burgim të përjetshëm, këtu përfshihet edhe Presidenti i shtetit, në veprën penale “tradhtia ndaj vendit”.

Presidenti i shtetit dënohet përjetësisht edhe nëse gjatë kohës së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, braktisë vendin, duke lënë forcat e armatosura pa sistem të komandimit.

Kodi Penal përcakton se cenimi i rendit kushtetues dhe i sigurisë në vend vlerësohen si vepra që rezultojnë me vdekjen e një apo më shumë personave; që përcillen me dhunë ose shkatërrim në shkallë të madhe, si dhe veprat që rrezikojnë sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës.

Sipas këtij Kodi, i dënueshëm me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm është bërë edhe gjenocidi.

I njëjti dënim i kap edhe personat që kryejnë krime kundër njerëzimit, ku hyjnë: vrasja, shfarosja, skllavërimi, deportimi ose përzënia me dhunë e popullsisë, burgosja, torturimi, dhunimi, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia me dhunë, sterilizimi i detyruar, persekutimi i një grupi për arsye politike, racore, kombëtare, etnike, kulturore, fetare apo gjinore, zhdukja e detyruar e personave, krimi i aparteidit, si dhe vepra të tjera çnjerëzore.

Në burg të përjetshëm mund të përfundojnë edhe kidnapuesit dhe dhunuesit, po ashtu edhe hakmarrja që përfundon me vrasje kualifikohet si vepër e dënueshme me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Ndryshe, personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm kanë mundësi të kërkojnë falje nga presidenti i vendit vetëm 25 vjet pas mbajtjes së dënimit./GazetaExpress