Kjo është gazetarja e cila u ofendua nga kryeministri Haradinaj (Foto)

Në konferencën e mbajtur sot në Ministrinë e Infrastrukturës, kryeministri i sapo emëruar, Ramush Haradinaj, është nervozuar kur është pyetur në lidhje me çështjen e Demarkacionit.

Lajme

13/09/2017 14:35

Gazetarja Kaltrina Zymberi nga Ekonomia Online e ka pyetur kryeministrin për deklarimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do të përkrahin marrëveshje tjetër të demarkacionit, përvec asaj që është nënshkruar në vitin 20015.

“Amerikanët kanë deklaruar që nuk kanë me përkrah marrëveshje të re të demarkacionit. Çka ka me bo komisioni i ri i shënjimit të vijës kufitare?”, ka qenë pyetja e gazetares Zymberi.

Mirëpo kjo e ka nervozuar kryeministrin Haradinaj duke e ofenduar atë me fjalët se “ju [gazetarët] shumica prej juve nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, nuk kam ndonjë koment”.

Kryeministi Haradinaj shkoi edhe më tej me ofendime duke thënë se “ju po raportoni pa ditë, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu”, ka deklaruar Haradinaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se nuk mbështesin marrëveshje të re për çështjen e demarkacionit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin marrëveshjen e arritur për demarkacionin e kufirit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Malit ë Zi në  vitin 2015, me të cilën asnjëri nga shtetet nuk humbasin territor. Ne presim që kjo çështje të zgjidhet shpejt duke ruajtur marrëdhëniet konstruktive dhe shumë pozitive ndërmjet dy vendeve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.