Kjo është deklarata e plotë e nënshkruar nga liderët evropianë dhe ballkanikë në Samitin e Sofjes

Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të saj, në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe në prani të aktorëve relevantë rajonalë, kemi nxjerrë sot këto përfundime:

Lajme

17/05/2018 17:01

1. BE-ja përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane, si edhe për vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, i cili bazohet në lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike, dhe gjithashtu në interesat tanë të përbashkët politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

2. Duke rikujtuar Samitin e Selanikut të vitit 2003, BE-ja ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke ndërtuar mbi progresin e arritur deri tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor janë riangazhuar për perspektivën evropiane si zgjedhjen e tyre strategjike të qëndrueshme, duke përforcuar përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e ndërsjellë. Besueshmëria e këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi publik i qartë.

3. BE-ja është e vendosur të përforcojë dhe të intensifikojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet, me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë përmes rritjes së ndihmës, në bazë të progresit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga Partnerët e Ballkanit Perëndimor.

4. BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të personave, që u përkasin minoriteteve. Zbatimi i efektshëm i reformave nga ana e tyre mbështetet në këto themele. Shoqëria civile dhe mediat e pavarura luajnë një rol vendimtar në procesin e demokratizimit.

5. BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo përfshin në veçanti gjetjen dhe implementimin e zgjidhjeve definitive, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, duke përkushtuar përpjekje shtesë për të siguruar pajtimin mes tyre.

6. Ndërtimi i një rrjeti të dendur të lidhjeve dhe mundësive brenda rajonit dhe me BE-në është jetësore për afrimin e qytetarëve dhe ekonomive tona, si dhe për rritjen e stabilitetit politik, prosperitetit ekonomik, zhvillimit kulturor dhe shoqëror. Duke ndërtuar mbi progresin e bërë, përfshirë përmes nismave rajonale, ne angazhohemi të përmirësojmë thelbësisht lidhshmërinë në të gjitha dimensionet e saj: energjetike, digjitale, ekonomike, njerëzore dhe të transportit.

7. BE-ja pranon të promovojë një mjedis miqësor për tregun dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të përparuar më shpejt drejt ekonomisë digjitale dhe shoqërive të qëndrueshme dhe miqësore ndaj klimës, në përputhje me marrëveshjen e Parisit. Siguria energjetike do të prioretizohet, duke përfshirë përmirësimin e efikasitetit energjetik, ndërlidhje ndërkufitare më të mira, diversifikimin e burimeve dhe rrugëve, si edhe një përzierje të ekuilibruar të energjisë, e cila integron më mirë energjinë e rinovueshme.

8. Theks i veçantë do të vihet në drejtim të krijimit të mundësive të mëtejshme për rininë, duke siguruar që ajo të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

9. Për këtë qëllim, BE-ja përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, për të përshpejtuar implementimin e acquis-it në pajtim me Traktatet e Komunitetit të Energjisë dhe Komunitetit të Transportit, për të mënjanuar të gjitha barrierat administrative në kufij, për të përfunduar Tregun Rajonal të Energjisë Elektrike dhe për të zbatuar urgjentisht Planin Shumëvjeçar të Veprimit të Korrikut 2017 për Zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje.

10. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë sfida sigurie, të kërkojnë veprim të koordinuar individual dhe kolektiv. Kur punojmë së bashku, ne jemi në mundësi të përballojmë këto sfida në mënyrë efektive. Bashkëpunimi ynë për të frenuar rrjedhjet e paligjshme të migracionit ka treguar vlerën e tij dhe do të zhvillohet më tej.

11. Kundërshtimi i terrorizmit dhe ekstremizmit, duke përfshirë financimin, radikalizimin dhe kthimin e luftëtarëve terroristë të huaj, kërkon bashkëpunimin tonë të shtuar.

12. BE-je dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor pranojnë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik dhe socioekonomik të rajonit dhe gjithashtu për qëndrueshmërinë dhe sigurinë rajonale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre. BE-ja përshëndet angazhimin e tyre për të ndërmarrë veprime të vendosura, në bashkëpunim me BE-në dhe me njëri-tjetrin, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, kultivimit të drogës dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore, drogës dhe armëve.

13. BE-ja përshëndet kontributin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) në të gjitha aspektet e saj dhe pret një thellim progresiv të bashkëpunimit në këtë fushë, veçanërisht një nivel të shtuar të harmonizimit, sidomos në çështjet ku interesat e mëdhenj të përbashkët janë në rrezik.

14. Dezinformimi dhe aktivitetet e tjera hibride do të luftohen së bashku përmes një bashkëpunimi më të madh në fushat e elasticitetit dhe sigurisë kibernetike, si edhe në komunikimin strategjik.

15. Me qëllim për të përshpejtuar përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në fushat e lidhshmërisë dhe sigurisë, në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, sot, kur po hartohen aspektet relevante të Komunikimit të Komisionit të miratuara më 6 shkurt 2018, BE-ja ka nisur një Agjendë Prioritare të Sofjes për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, e cila është i bashkangjitur kësaj Deklarate.

16. BE mirëpret synimin e Kroacisë për të organizuar një Samit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Presidencës së saj në vitin 2020.

17. Ne theksojmë se Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor janë dakord me pikat e mësipërme.

Shtojca e Deklaratës AGJENDA PRIORITARE E SOFJES

• Të përforcohet mbështetja për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë

• Të rritet mbështetja për reformën gjyqësore dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin e korrupsionit

• Të zgjerohen misionet këshilluese për sundimin e ligjit, duke përfshirë mbështetje të shtuar nga Shtetet Anëtare dhe nga BE-ja

• Të rritet monitorimi i reformave nëpërmjet sistemeve më sistematike dhe misioneve për shqyrtimin kolegjial në bazë rasti

• Të implementohet monitorimi i gjykimit në fushën e korrupsionit të rëndë dhe krimit të organizuar

• Të punohet mbi përmirësimin e matjes së rezultateve në reformën e drejtësisë

• Të sigurohet mbështetje për Ballkanin Perëndimor përmes Ndihmës Evropiane për Demokraci në fushën e mediave të pavarura dhe pluraliste dhe shoqërisë civile Të përforcohet angazhimi në siguri dhe migracion

• Të intensifikohet puna e përbashkët kundër terrorizmit, si edhe në parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në pajtim me iniciativën e Ballkanit Perëndimor kundër terrorizmit

• Të përmirësohet në mënyrë të dukshme bashkëpunimi operacional në luftën kundër krimit ndërkombëtar të organizuar në fusha prioritare siç janë armët e zjarrit, drogat, kontrabandimi i emigrantëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore

• Të përgatitet një plan i përtërirë veprimi për të bashkëpunuar në fushën e armëve të zjarrit, me qëllim për të kontrolluar në mënyrë më efektive armët e paligjshme të zjarrit, si edhe rezervat e mëdha të armëve

• Të rritet mbështetja për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe luftës kundër krimit kibernetik

• Të përmirësohet bashkëpunimi në fushën e migrimit dhe menaxhimit të kufijve

• Të përmirësohet më tej bashkëpunimi midis oficerëve ndërlidhës të vendosur nga BE-ja (Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare), Shtetet Anëtare dhe autoritetet kompetente të Ballkanit Perëndimor

• Të krijohet një Task Force ndëragjencor EU JHA të koordinuar nga Komisioni

• Të thellohen dhe zgjerohen bashkëpunimi i konsiderueshëm dhe dialogu mbi Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë / Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes • Të zhvillohet më tej bashkëpunimi në aktivitetet që lidhen me kërcënimet hibride, duke përfshirë përmirësimin e komunikimit strategjik Të mbështetet zhvillimi socio-ekonomik, duke u fokusuar veçanërisht në rini

• Të zgjerohet Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, me qëllim për të tërhequr më tej dhe për të koordinuar investimet dypalëshe të donatorëve dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare

• Të përforcohet në mënyrë të ndjeshme ofrimi i garancive në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim për të tërhequr investime private

• Të rritet mbështetja për arsimin, në veçanti të niset një projekt pilot për lëvizshmërinë në arsimin dhe trajnimin profesional

• Të sigurohet financim Double Erasmus + për rajonin, duke përfshirë krijimin e një “Laboratori rinor të Ballkanit Perëndimor” në vitin 2018, duke siguruar hapësirë për krijimin e politikave inovative që adresojnë nevojat e të rinjve dhe parandalimin e ikjes së trurit

• Të zgjerohen qëllimi dhe shtrirja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe të implementohet një skemë brendarajonale lëvizshmërie

• Të sigurohet përparimi në implementimin e Zonës Ekonomike Rajonale, duke përfshirë përforcimin e punës mbi njohjen e kualifikimeve dhe lehtësimin e tregtisë brenda Ballkanit Perëndimor

• Të sigurohet progresi i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë në proceset e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë Të rritet lidhshmëria

• Të niset një paketë e re projektesh në fushën e lidhshmërisë (me grante të konsiderueshme dhe mbështetje nga BE-ja) përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë mbështetjen për Autostradën e Kaltër dhe Autostradën e Paqes (Nish-Prishtinë)

• Të mbështet përdorimi i shtuar i mundësive në pajtim me dispozitat e sotme të Mjetit për Lidhjen e Evropës në Ballkanin Perëndimor

• Të zgjerohet Bashkimi Energjetik i BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar në sigurinë e energjisë dhe diversifikimin e burimeve dhe furnizuesve, përfshirë një strategji në nivel rajonal për të përfituar nga burimet e ripërtëritshme, sidomos hidrocentralet

• Të punohet për të përfunduar Tregun Rajonal të Energjisë Elektrike në Ballkanin Perëndimor dhe për të siguruar që ai do të integrohet në Tregun e Brendshëm të Energjisë Elektrike të BE-së, duke përfshirë edhe nismën e Lidhshmërisë së Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC)

• Të ofrohet mbështetje e mëtejshme për krijimin e një hapësire të vetme rregullative dhe një procesi efektiv për reformën e tregut të energjisë, në pajtim me Traktatin e Komunitetit të Energjisë

• Të nënshkruhet një angazhim/Memorandum Mirëkuptimi për ndërlidhjen e gazit Bullgari/Serbi

• Të fillojë implementimi i Traktatit të Komunitetit të Transportit dhe funksionimi i plotë i sekretariatit të tij

• Të nënshkruhet marrëveshja për Shtabin e Traktatit të Komunitetit të Transportit (Beograd)

• Të mbështet Deklarata Ministrore e Transportit nga Ditët TEN-T të Lubjanës, duke përfshirë planin e veprimit për listën e kalimeve kufitare prioritare • Të miratohen Deklarata Ministrore e Transportit mbi sigurinë rrugore nga Ditët TEN-T të Lubjanës dhe Planin i saj i veprimit

• Të mbështetet një strategji e re hekurudhore për të sjellë Ballkanin Perëndimor në rrjetin dhe tregun kryesor të BE-së Një agjendë digjitale për Ballkanin Perëndimor

• Të niset një Agjendë digjitale për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një udhërrëfyes për të lehtësuar uljen e kostos së roamingut

• Të niset një paketë e konsiderueshme ndihme teknike për identifikimin e investimeve digjitale potenciale (duke përfshirë broadband) përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor/Instrumenti i Ndihmës së Para Aderimit Të mbështetet pajtimi dhe marrëdhëniet fqinjësore të mira në Ballkanin Perëndimor

• Të mbështetet lufta kundër mosndëshkimit përmes mbështetjes së Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare dhe për Dhomat të Specializuara për Kosovën përmes EULEX-it *

• Të hapet një dritare në Programin e Evropës Krijuese të BE-së

• Të promovohet thellimi i lidhjeve midis shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë mbështetjen e projekteve të Fondit për Ballkanin Perëndimor Kjo Agjendë Prioritare do të implementohet në një mënyrë neutrale nga pikëpamja e statusit dhe pa paragjykime për diskutimet mbi Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare”.