Kjo është baza ruse në Nish, përgjegjëse për operacionet e spiunazhit në Kosovë e rajon (Foto)

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fillim të shkurtit në Sarajevë, deklaroi se aleanca ka vërejtur një rritje të madhe të ndikimit rus në Ballkan dhe po bashkëpunon me partnerët që t’i përballoj ndërhyrjet nga Moska.

Lajme

07/06/2017 17:06

Këto ndërhyrje në rajonin tonë arritën kulmin me komplotin e dështuar për të bërë grushtshtet në Podgoricë, duke bërë përpjekje që ta çonin Malin e Zi në luftë civile, transmeton lajmi.net.

Edhe “Guardian” këto ditë publikoi dokumente që dëshmonin përpjekjet ruse që të ndalonin integrimin euroatlantik të Maqedonisë, duke u munduar të nxisin një konflikt të brendshëm ndëretnik atje.

Veprime intensive të rusëve janë parë edhe në Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera të rajonit, porse baza e këtyre veprimeve dyshohet të jetë Serbia.

Por, kohëve të fundit, vëmendjen e mediave ndërkombëtare e ka tërhequr edhe krijimi i një qendre të madhe të spiunazhit në Serbi të Jugut, përkatësisht në Nish, nën emrin e Qendrës Humanitare Ruso-Serbe (Russian-Serbian Humanitarian Center).

Kjo bazë është vendosur në një pozicion strategjik afër aeroportit të Nishit, autostradës së Korridorit X, ngjitur me ambientet e Naftna Industrija Srbije, e cila është aksionere kryesore në Gazpromin e Rusisë.

Analistë të shumtë vlerësojnë se kjo është një bazë e përgjimit dhe survejimit, që rusët kanë ndërtuar për të përgjuar KFOR-in dhe forcat amerikane në rajon.

Së fundmi, ministri i jashtëm serb ka kërkuar që punëtorëve rus të kësaj baze RSHC t’u jepet statusi diplomatik dhe një imunitet ndërkombëtar, gjë që ka shqetësuar akoma më shumë vendet e perëndimit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ia kërkuan Beogradit mbylljen e kësaj baze, mirëpo jo vetëm që Serbia nuk e ka mbyllur këtë bazë, por tash po hapë edhe të dytën.

Pas suksesit me këtë bazë spiunazhi, Rusia tash po përgatitet për ndërtimin edhe të një baze të dytë spiunazhi në Ecka të Vojvodinës, për të monitoruar nga afër veprimet e dy shteteve fqinje të NATO-s, Hungarinë dhe Rumaninë. /Lajmi.net/