Kjo do të jetë kërkesa e Vuçiqit për Putinin në lidhje me Kosovën

“Bloomberg” shkruan për vizitën e presidentit të Rusisë, Vladimit Putin në Serbi dhe kërkesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq prej tij në raport me Kosovën.

Lajme

17/01/2019 12:05

Agjencia amerikane e lajmeve “Bloomberg” shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të shfrytëzojë vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin për të fuqizuar mbështetjen e Moskës në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Prishtinën, transmeton lajmi.net.

“Bloomberg” po ashtu shton se Vuçiq së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi janë kthyer nga Moska dhe Washingtoni për të përshpejtuar arritjen e marrëveshjes.

Vuçiq nga viti 2012 është duke balancuar premtimet rreth integrimit evropian dhe fuqizimit të lidhjeve të afërta me Rusinë, shkruan “Bloomberg”.

Raporti i tij me Putinin është shumë i afërt, vlerëson agjencia, dhe shton se ata janë takuar më tepër se 10 herë dhe se Rusia i ka ndarë Vuçiqit një prej mirënjohjeve të saja më të rëndësishme.

Ky raport, thuhet se do të luajë rol të madh në përpjekjet e Serbisë të shënojë përparim në bisedimet me Kosovën. /Lajmi.net/